
Luigi Soreca, Vitore Tusha dhe Adriana Kalaja
TIRANË– Anëtarët e Aleancës për Teatrin kanë denoncuar te SPAK ambasadorin Luigi Soreca, i cili sipas tyre ka bërë presion pranë Gjykatës Kushtetuese.
Adriana Kalaja, përfaqësuese e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, ka dalë në një deklaratë për mediat, ku është shprehur se ambasadori Soreca është parë duke hyrë në Gjykatën Kushtetuese ditën e mbajtjes së seancës për çështjen e Teatrit Kombëtar dhe ka komunikuar me gjyqtaren Vitore Tusha.
Ajo u shpreh se pas bisedimit me gjyqtaren, ambasadori është laruar nga dera e pasme e Gjykatës, duke mos e bërë publik diskutimin mes tyre.
Kalaja tha se Soreca ka ardhur për të lobuar pro kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, ndaj është kërkuar nga SPAK që të sekuestrojë kamerat brenda dhe jashtë Gjykatës.
Ajo tha se bashkë me Anëtarët e Aleancës për Teatrin po përgatisin dokumentacionin për ta kallëzuar penalisht dhe për t’ja bërë të ditur Bashkimit Evropian, ndërsa tha se kërkon që ai të shpallet “non grata”.
Deklarata:
“Anëtarë të Aleancës për Teatrin, të cilët punojnë tek bizneset të godinës së Gjykatës Kushtetuese, kanë konstatuar se ditën e mbajtjes së seancës, Luigi Soreca ka bërë një takim jopublik me kreun e gjykatës në 16 qershor dhe më pas ka dalë nga dera e pasme. Ne jemi shumë të shqetësuar sepse nuk e dimë përse ambasadori ka ardhur në këtë ditë seance. Kemi kërkuar të bëhet publike nëse ky takim ka pasur interes publik, kemi kërkuar që të bëhet publike se çfarë është diskutuar.
Për ne fakti që ambasadori është larguar nga dera e pasme e godinës, cenon shumë legjitimitetin e kryetares së Gjykatës dhe pavarësinë, ndërkohë që kanë kryer këtë takim pa e bërë publik për mediat.
Informacioni që ne kemi është se zoti Soreca ka ardhur për të lobuar pro kryetarit të Bashkisë, sepse mendon se do e lëmë të kalojë aq lehtë.
Ne me këtë kërkesë së sotme i kemi kërkuar SPAK të sekuestrojë kamerat brenda dhe jashtë Gjykatës Kushtetuese. Nëse do jetë e vërtetë ajo që ne pretendojmë do kërkojmë vetë largimin e kryetares nga trupi gjykues, në të kundërt ne do kërkojmë përjashtimin e gjyqtares nga trupi gjykues. Po bëjmë gati gjithë informacionin do ja bëjmë të ditur BE, sesi një ambasador vjen dhe bën presion pranë Gjykatës Kushtetuese.
Ne po bëjmë gati dokumentacionin do kallëzohet edhe penalisht, por do ti bëhet e ditur edhe BE. Ne do marrim gjithë hapat ligjorë që Soreca të shpallet non grata”, tha përfaqësuesja e Aleancës për Teatrin.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.