
Arrestohen 25 anëtarë të bandave kriminale në Kosovë, sekuestrohen armë, makina dhe euro
PRIShTINË– Policia e Kosovës pas hetimeve disa mujore te nisura ne vitin 2020 deri më 14 prill të vitit 2021, ka arrestuar 25 persona të dyshuar.
Të arrestuarit akuzohen për përfshirje në vepra penale si: “Importi, Eksporti, Furnizimi, Transportimi, Prodhimi, Këmbimi Ndërmjetësimi ose Shitja e Paautorizuar e Armëve apo Materialeve Plasëse”.
Operacionet policore janë realizuar me urdhër të organeve të drejtësisë. Ato kanë përfshirë disa lokacione, konkretisht Prishtinën, Gjilanin, Ferizajn dhe Mitrovicën e Jugut. Gjatë kontrollit të disa shtëpive dhe objekteve në të dy operacionet, janë gjetur dhe sekuestruar:
• 8 armë të gjata të llojeve të ndryshme,
• 13 armë të vogla revole,
• 2 karikatorë,
• (1.493) municion të kalibrave të ndryshëm,
• Pjesë të ndryshme të armëve,
• Pajisje për pastrimin e armëve,
• 2 leje për armë,
• 2 vetura,
• 1 palë dylbi,
• 21 telefona celularë,
• 2000 euro dhe
• 1 fletore me shënime.
Në njoftimin e Policisë thuhet se 12 persona janë arrestuar në vitin 2020, 13 persona u arrestuan sot, nga ku 7 janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit dhe 6 persona janë liruar në procedurë të rregullt.
“Nga 25 personat e arrestuar në të dy operacionet policore, vlen të potencohet se 12 prej tyre janë arrestuar në vitin 2020, të cilët me vendim të prokurorëve kompetentë janë dërguar në mbajtje, përderisa në operacionin policor të realizuar sot në orët e hershme të mëngjesit janë arrestuar 13 persona, prej tyre 7 persona me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, përderisa 6 persona janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjithashtu thuhet se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, parandalimit të veprimtarive kriminale dhe sjelljen para organeve të drejtësisë personat e dyshuar që bien në kundërshtim me ligjin.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.