
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi gjatë konferencës për mediet
TIRANË– Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka mbajtur sot një konferencë për mediet rreth aksidenteve dhe vrasjeve të ndodhura kohët e fundit në vendin tonë.
Ai theksoi se të gjithë duhet të reflektojnë dhe jo çdo gjë është në dorën e policisë. Çuçi tha se Policia e Shtetit do të pajiset me mjete moderne për të kryer sa më mirë funksionin e saj, por ajo ka si detyrë të ndalojë shkelësit e kriminelët, jo ti dënojë ata. Këtë detyrë e ka Gjykata, e cila sipas tij nuk po e kryen detyrën ashtu siç duhet me gjykatës që nuk kanë kaluar ende procesin e Vetingut.
Ai përmendi prokuroren e Shkodrës Edlira Cufi, prokuroren Elona Alvora, gjyqtarin Albert Spiro në Vlorë, prokurorin Erind Rahovica dhe gjyqtarit Pirro Sota në Fier, si fajtorë për lehtësimin e masave për të dënuarit.
“Dua të theksoj fort se: Policia e Shtetit, përtej të metave apo dobësive të saj dhe përmirësimeve të mëtejshme që duhen dhe do të bëhen, as nuk ndjek çdo makinë që lëviz në rrugët e vendit, e as nuk mund të parandalojë një sherr në orën 1 të natës mes dy fqinjëve. Të dyja rastet fatale kërkojnë sigurisht në radhë të parë një reflektim nga të gjithë, pa përjashtim, përfshirë këtu edhe Policinë e Shtetit, të cilës gjatë Mandatit tonë të Tretë qeverisës, do t’i vihen në dispozicion edhe dronë super-inteligjente, si dhe një sistem modern monitorimi i rrugëve, që gjeneron në kohë reale gjoba për shkelësit e kufijve të shpejtësisë. Po mbi të gjithë, duhet të reflektojnë gjykatësit që nuk kanë kaluar ende procesin e Vettingut, dhe që operojnë rëndom me parimin ‘Kap ça të kapësh’. Sepse Policia e Shtetit ndalon, por nuk dënon shkelës e kriminelë, ata i dënon Gjykata.
Mjafton t’ju marrë një shembull: Ne kemi shtrënguar masat kundër armë mbajtjes pa leje, ku vetëm këtë muaj, pra në Qershor, në tri raste si ai i Shkodrës, Vlorës dhe Fierit, janë ndaluar në flagrancë nga strukturat e Policisë së Shtetit për armëmbajtje pa leje, tri shtetas, madje në një rast arma e zjarrit që mbahej pa leje kishte fishek në fole gati për qitje. Por fatkeqësisht, prokurorët dhe gjyqtarët, si rasti i prokurores Edlira Cufi në Shkodër, apo dyshja e prokurores Elona Alvora dhe gjyqtari Albert Spiro në Vlorë, si dhe prokurori Erind Rahovica dhe gjyqtari Pirro Sota në Fier, përkundër kushteve të padiskutueshme të flagrancës, kanë dhënë masa lehtësuese duke i çuar në shtëpi të pandehurit, megjithëse minimumi i dënimit për këto vepra penale është 3 vjet heqje lirie. Ose, nga ana tjetër, pavarësisht shtrëngimeve të reja të futura rishtazi në Kodin Rrugor, vendimet e disa gjykatësve të tjerë, për aksidentet rrugore me pasojë vdekjen apo plagosjen, janë në gjykimin tonë skandaloze dhe në keqinterpretim të ligjit. E pra, këto janë fakte që dëshmojnë qartë nevojën për një reagim të shpejtë dhe energjik nga ana e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe strukturave të reja drejtuese të sistemit gjyqësor, ndaj individëve papërgjegjshmërisht të rrezikshëm për shoqërinë tonë. Këto sa përmenda nuk janë ndërhyrje në punën e gjyqësorit dhe institucioneve të tjera të pavarura, por shembuj ulëritës të asaj se si nuk duhet të jetë forca e ligjit ndaj atyre që e shkelin atë”, tha Çuçi.
Ministri foli rreth vrasjes në Velipojë, ku 4 persona humbën jetën si pasojë e një sherri për ndarjen e shezlongëve. Ai tha me bindje se nuk ka pasur asnjë denoncim për kërcënim lidhur me këtë gjë, thjesht një ankesë se pse u është dhënë leja atyre personave.
“Policia nuk jep leje për shezlong dhe nuk jep leje për mënyrën se si do të shpërndahen plazhet. Problemi konkret lidhej me faktin se kush e ka pasur më parë dhe kush e ka sot dhe këtu duhet të ndërhyjnë institucionet që merren duke filluar që nga pushteti vendor. Në rastin konkret nuk ka pasur denoncim të këtyre dyve që u përfshinë në ngjarjen në Velipojë, jua them me bindje të plotë. Mund të ketë pasur një ankim pse ja keni dhënë lejen këtij, por nuk është policia ajo që jep leje. Por denoncimin që jam kërcënuar për shkak të kësaj gjëje nuk ka pasur”- tha Çuçi.
Lidhur me armëmbajtjet pa leje, Çuçi tha se duhet bërë një diskutim më i gjerë rreth kësaj dhe shtoi se do të mbledhë grupet e interesit për të vendosur si të pakësojnë këtë fenomen të rrezikshëm.
“Armëmbajtjet pa leje do të bëj më shumë sa i takon një diskutimi më të gjerë shoqërore sesi të heqim armët nga duart e shqiptarëve. Unë do të bëj më shumë, do mbledh grupet e interesit se kush është qasja më e mirë që të arrij të pakësojmë sa më shumë këtë fenomen që përbën një rrezik për shqiptarët.’- tha Çuçi.
Ministri u pyet rreth dënimeve të personave që shkaktojnë vdekjen e të tjerëve për shkak të shpejtësisë së automjeteve të tyre, ku tha se ky rast parashikohet të dënohet sikur ka vrarë një njeri, njësoj sikur të kishte kryer vrasje.
‘Kjo është një çështje më shumë e profesionistëve e penalistëve e doktrinës së asaj që quhet vrasje. Kjo është një çështje që duhet të zgjidhnin profesionistët nëse mund të quhet vrasje apo jo. Këtë nuk mund ta përziejmë pasi do të bënim devijim nga shkenca penale. Kemi rritur nivelin e dënimit dhe e kemi bërë të barabartë dënimin si vrasje të thjeshtë. Aksidenti me pasojë vdekjen parashikohet të dënohet sikur ka vrarë një njeri. Me këtë qasje i jemi afruar asaj dëshire për të rënduar pozitën e një personi që bën aksident me makinë pasi ka shkelur të gjitha rregullat e qarkullimit rrugor. Kur ka sjellë pasojë vdekjen ai para kodit penal është njësoj sikur të kishte kryer vrasjen.’- tha Çuçi.
Ai u pyet nëse ndjente përgjegjësi morale rreth ngjarjeve të ndodhura, ku tha se jetesa totalisht në paqe do ishte utopi, ndaj nuk ndien përgjegjësi morale për një gjë që është e zakonshme. Çuçi tha se deri në fund të mandatit do përpiqet ti rrallojë, por jo cdo gjë varet prej ministrave.
“Pa diskutim është edhe përgjegjësia e Policisë, por në rastin konkret unë nxora nga protokolli im rastet më të fundit në lidhje me një çështje sensibël që ka dalë në opinionin publik këto ditë, që është armëmbajtja pa leje dhe unë sqarova vetëm pozicionin e Policisë së Shtetit. Nuk e bën dot e vetme Policia e Shtetit çarmatosjen e shqiptarëve të armatosur brutalisht në 1997. Unë e veçova gjyqësorin sepse ka një rol të jashtëzakonshëm në këto momente. Ka shumë rëndësi të funksionojnë të gjitha hallkat. Në lidhje me përgjegjësinë morale, si njeri unë do të doja të mos kishte asnjë vrasje, asnjë aksident, të ishte një situatë ku të gjithë të jetojnë në paqe, por është utopi dhe nuk ka për të ndodhur. Unë nuk mund të kem përgjegjësi morale për një gjë që është e zakonshme, jo në kuptimin negativ të fjalës, por e zakonshme sepse ndodh pavarësisht nga ne. Nuk ndjej përgjegjësi morale. Në fund të mandatit tim unë do punoj që ky trend të jetë në ulje nga aksidentet rrugore, do ndjehesha mirë që si Ministër i Brendshëm ta ulja këtë, por gjërat nuk varen të gjitha nga ministrat”, tha Çuçi.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.