Depozitat në euro shënuan rritje rekord për gushtin, gati 250 milionë euro më shumë

Koha e leximit2 minuta, 53 sekonta

Depozitat bankare në monedhën europiane kaluan për herë të parë në gusht pragun e pesë miliardë eurove.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se sezoni veror nuk i zhgënjeu pritshmëritë për rritje të prurjeve të depozitave në euro. Në fund të muajit gusht, totali i depozitave në këtë monedhë arriti në rreth 5.146 miliardë euro.

Në një muaj, depozitat u zgjeruan me 248 milionë euro, rritja më e lartë mujore e regjistruar në statistika për të paktën pesë vitet e fundit. Me bazë vjetore, rritja e depozitave në euro ka arritur në 15.5%, nga 11.7% që ishte rritje me bazë vjetore në fund të korrikut. Kjo normë rritjeje është pothuajse dy herë më e lartë krahasuar me normën mesatare të rritjes së depozitave bankare në total.

Struktura e depozitave në euro dominohet nga individët, që në fund të muajit gusht zotëronin më shumë se 73% të totalit. Krahasuar me një vit më parë, depozitat në euro të individëve në sektorin bankar janë rritur me 9.3% ose rreth 308 milionë euro. Ritmet më të larta të rritjes në vitin e fundit po shënohen te individët, ku depozitat në monedhën europiane janë rritur me pothuajse 30%. Kjo tendencë vijoi edhe gjatë gushtit, kur depozitat e biznesit në vlerë sollën afërsisht gjysmën e rritjes së depozitave, megjithëse zënë një peshë specifike më të ulët.

Sipas maturitetit, depozitat po vazhdojnë të orientohen gjithnjë e më shumë drejt llogarive rrjedhëse ose depozitave pa afat. Në rritje janë edhe depozitat mbi dy vjet, ndërsa depozitat më të zakonshme, me maturitet një ose dy vjet, paraqiten në rënie.

Normat shumë të ulëta të interesit po vazhdojnë të nxisin vendosjen e fondeve në llogari rrjedhëse ose depozita pa afat. Në fund të korrikut, ato përbënin 60.4% të depozitave në euro, nga 55.5% që zinin një vit më parë. Kjo është një tendencë mbizotëruese për depozitat në të gjitha valutat, por që për euron është më e theksuar, sepse normat e interesit janë shumë afër zeros dhe depozituesit nuk kanë shumë stimuj për t’i mbyllur paratë në depozita pa afat. Sipas Bankës së Shqipërisë, norma e interesit për depozitat me afat në euro në muajin gusht ishte 0.32%, ndërsa për depozitën më të përdorur me afat, atë 12 mujore, norma e interesit ishte vetëm 0.1%.

Ndryshe nga sa po ndodh kredinë, ku leku po fiton terren me ritme të shpejta, euro ngelet dominuese në depozita dhe me sa duket perceptohet si një valutë më e besueshme nga publiku i gjerë. Kjo mund të lidhet me euroizimin e konsiderueshëm të ekonomisë shqiptare dhe faktit që asetet me vlerë të madhe, kryesisht pasuritë e paluajtshme, kuotohen në euro. Depozitat në valutë të huaj dominojnë strukturën e kursimeve të shqiptarëve në banka, me rreth 51% të totalit. Mes valutave të huaja, pjesa dërrmuese i takon euros.

Oferta e lartë e euros në ekonominë shqiptare dëshmohet edhe nga ecuria e kursit të këmbimit valutor. Nënçmimi i zakonshëm tipik për sezonin veror këtë vit ishte edhe më i lartë krahasuar me vitin e kaluar, madje po shtrihet edhe gjatë vjeshtës. Në fillim të kësaj jave euro këmbehej me 121.53 lekë, në nivele të përafërta me fundin e muajit korrik. Agjentët e këmbimit valutor e shpjegojnë këtë nënçmim me ofertën e lartë të monedhës europiane në treg. /E.Shehu

Burimi: BSH

The post Depozitat në euro shënuan rritje rekord për gushtin, gati 250 milionë euro më shumë appeared first on Revista Monitor.

Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Previous post Paketa Fiskale 2022 penalizon prodhimin vendas
Next post Të bëra nga fildishi, brirët apo druri, zbulohen syzet më të vjetra në botë