
Deputetja e PD-së reagon pas raportimit të INSTAT për papunësinë në Shqipëri: Vendi po boshatiset, është kthyer në burg
Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas raportit të INSTAT për ulje të punësimit në Shqipëri.
INSTAT rapotroi se shqiptarët po punojnë më pak në vitin 2021 dhe vetëm 59% e popullsisë 15-64 vjeç janë të angazhuar me punë.
Ndërkohë, Tabaku në rrjete sociale është shprehur se në Shqipëri papunësia dhe emigrimi janë ndër më të lartat në rajon.
Ajo tha se Shqipëria po boshatiset dhe vendi dita ditës po plaket për shkak të largimit të të rinjve. Gjatë krahasimit të numrin e popullsisë të aftë për punë nga viti 2013 e deri më tani, deputetja u shpreh se ajo ka rënë me 2.5% në 8 vite.
Tabaku u shpreh qeveria nuk ka asnjë vizion dhe asnjë politikë për të rikthyer mundësinë dhe shpresën këtu, ndërsa i mbush mendjen shqiptarëve se është kthyer në komarderen e shpëtimit të tyre.
Reagimi i Tabakut:
Shqipëria vazhdon të boshatiset ndërkohë që qeveria i mbush mendjen shqiptarëve se është kthyer në komarderen e shpëtimit të tyre.
Të dhënat e punësimit të INSTAT raportojnë jo vetëm një ulje të punësimit për shqiptarët nga mosha 15-64 vjeç por demaskojnë dhe qeverinë përmes politikës së shpopullimit të Shqipërisë.
Shifrat janë një këmbanë alarmi për një vend që po plaket dhe për këtë qeveria nuk ka asnjë alternativë reale për ta shpëtuar.
Shifrat e ekonomisë janë një tregues që duhet të shqetësojë çdokënd. Ulja e numrit të punësuarve do të thotë më pak parà në xhepat e shqiptarëve, më shumë varfëri.
Për një ekonomi që 40% e saj është informale, më e larta në rajon, ku papunësia është ndër më të lartat në rajon dhe ku emigrimi është më i larti në rajon dhe më gjerë. Shenjat janë tejet shqetësuese.
Numri i shqiptarëve që do të jetojnë me nën 5 $/frymë pritet të rritet. Numri i shqiptarëve që mund të largohen për të kërkuar një jetë të mirë jashtë kufijve të Shqipërisë pritet të rritet.
Ndërkohë që qeveria nuk ka asnjë vizion dhe asnjë politikë për të rikthyer mundësinë dhe shpresën këtu. Shqipëria është kthyer në një burg të madh ku askush nuk po kërkon më të qendrojë.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.