
Pamjet gjatë protestës së organizuar
ELBASAN– Për rastin e vrasjes së 54-vjeçares Liliana Buzo nga bashkëshorti i saj pasi kishte nisur procesin e divorcit, shumë gra dhe vajza marshuan drejt qytetit dhe drejt vendgjarjes.
Ato protestuan me pankarta në duar për të ndaluar dhunën ndaj grave, për ti thënë stop vrasjeve dhe keqtrajtimeve. Si fillim u drejtuan tek vendi ku 54-vjeçarja humbi jetën, pranë gjykatës, ku aty ndezën qirinj dhe vendosën karafila.
Edhe pse kauza e tyre ishte barazia dhe solidariteti, meshkujt të cilët u ftuan nga gratë për t’iu bashkuar protestës, nuk u treguan të gatshëm, nuk treguan aspak respekt duke mos u ngritur as nga kafja.
Në ndalesën e fundit pranë gjykatës, ato thanë se do të vazhdojnë luftën, do të reagojnë për çdo padrejtësi të bërë. Sipas tyre, një vrasje pranë gjykatës konsiston në dështim të shtetit.
Mirela Gjoni, anëtare e Forumit të Gruas në Elbasan, gjatë fjalës së saj u shpreh se askush nuk ka të drejtë të cënojë dhe të marrë jetën e askujt, të rriturit duhet të japin shembuj pozitivë, dhe të zbatojnë të gjitha ligjet. Ajo u bën thirrje qytetarëve të reagojnë para se të jetë vonë.
“Duhet t’i themi stop dhunës. Ne kemi një jetë për të jetuar dhe duhet ta jetojmë atë denjësisht. Askush nuk ka të drejtë të na e cenojë atë, të na e dhunojë dhe të na e marrë atë. Prandaj jemi sot këtu, për Liljanën dhe për shumë gra të tjera që janë vrarë në këto vit enë Shqipëri. Le të bëhemi bashkë, burra e gra, le të nxjerrim më të mirën tonë, për fëmijët e për familjet tona. Le ta gëzojmë jetën, le të largojmë njëherë e përgjithmonë dhunën nga vatrat tona, fëmijët tanë që po i shkatërrojmë me duar tona. Ne të rriturit duhet të japim modele pozitive. Ky është vetëm një grimcë reagimi, ne kemi nevojë që nga gjithsecili në çdo familje, t’i themi stop dhunës. Ne do vazhdojmë, kjo luftë nuk bëhet në një ditë, as me dy veta, kërkon një reagim shoqëror. Para se të jetë vonë, le të reagojmë sot, le ta ndryshojmë të ardhmen sot. Ne ligjet i kemi të mira, por kërkojmë një zbatim më të mirë dhe reagim zinxhirë nga familjet, institucionet dhe të gjithë, të gjithë jemi përgjegjës”, tha Mirela.
Pjesëmarrëse në protestë ishte dhe drejtoresha e arsimit në Elbasan, e cila tha se dyshon nëse institucionet asimore e kanë bërë mirë punën e tyre për ti mësuar gjithkujt barazinë gjinore.
“E kemi detyrim t’i bashkohemi kësaj proteste për shkak të kauzës që ajo ka me vete. Përfaqësoj këtu një institucion edukimi dhe ndjejë një refleksion të thellë brenda vetes sime. Ndoshta institucionet arsimore nuk janë duke bërë punë e tyre në edukimin për barazinë gjinor enë nivele të mjaftueshme, por fakti që maxhorenë marrin nisma të tilla, na bën të mendojmë për shoqërinë në tërësi. Uroj që kjo kauzë të shkojë në veshin e të marrëve, të vrasësve, të dhunuesve dhe uroj që të tilla raste të jenë stopuar në këtë moment. Më bëri përshtypje që u bë një thirrje për burrat që t’i bashkoheshin kësaj proteste, por asnjë nuk lëvizi, pra më e rëndësishme ishte qetësia e tyre se sa jeta e në gruaje që u vra në mënyrë barbare. Ajo deshi të merrte lirinë e saj, të largohej nga dhuna dhe u vra. Nuk di sa fort duhet të tingëllojë kjo në veshin e gjithsecilit. Protesta të tilla nuk i zgjidhin problemet, por së paku fuqizojnë zërat në drejtim të respektimit të të drejtave të grave”, tha Çota.
Të vetmit meshkuj që iu bashkuan grave ishin komisioneri kundër diskriminimit Robert Gajda dhe aktivisti Gentjan Sejrani. Sejrani përcolli mesazhin e tij, ku tha se këto raste po përsëriten dhe në rolin e një babai, tha se çdokush duhet të sensibilizohet.
“Kur dëgjon raste të tilla, duhet të sensibilizohesh. Unë flas në rolin e një babai që po rris një vajzë dhe nuk mund ta imagjinoj që vajza që unë po rris me mund të vritet nga një kafshë dhe t’i marrë jetën vajzës që rrite me aq dashuri e dhembshuri nga prindit. Të paktën të ketë ndryshime të politikave në nivel lokal për gratë që kërkojnë urdhër mbrojtje. Shohim që ka përsëritje të rasteve, kjo do të thotë se diçka nuk funksionon në menaxhimin e situatave të tilla. Ajo që duhet parë me vëmendje nga institucionet përgjegjëse është se si mund t’i vijë në ndihmë këtyre grave që mos arrijmë në situata të tilla, si mund t’i parandalojmë. Është momenti që të rishikohen politikat dhe të zbatohen ato që janë të miratuara në nivel qendrorë dhe vendorë”, tha Sejrani.
Protestuesit së bashku bënë me dije se e gjithë kjo nuk do të përfundonte me aq.
Liliana Buzo, 54-vjeçarja e ndjerë u vra brutalisht pranë gjykatës Elbasan nga bashkëshorti i saj, pasi kishin dal nga një seancë divorci. Ngjarja ka ndodhur në prezencë të fëmijës së tyre, ndërsa autori tha se konflikti ka filluar për shkak të divorcit.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.