
Endri Mustafa i cili u gjet i vrarë
SHKODËR– Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shkodër. Mëngjesin e sotëm është gjetur trupi i 32-vjeçarit të zhdukur, Endri Mustafa, i cili është ekzekutuar me armë zjarri në zonën e Livadheve.
Mësohet se ai është qëlluar me 5 plumba në trup. Deri tani janë gjetur 8 gëzhoja në vendngjarje, si dhe një pistoletë që nuk dihet ende nëse ka lidhje me krimin. Gjithashtu dyshohet se viktima mund të jetë vrarë diku tjetër dhe më pas është tërhequr deri në vendin ku iu gjet trupi.
Policia ka njoftuar se Mustafa është gjetur i vrarë me armë zjarri në bregun e liqenit rreth orës 09:00 të ditës së sotme, ndërkohë Grupi Hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ai ka qenë i zhdukur prej 3 ditësh dhe familjarët e tij kanë bërë denoncimin.
“Më datë 17.05.2021, në orën 09:00, në bregun e liqenit, në livadhe, në lagjen Guerile, Shkodër është gjetur i pajetë shtetasi E. M., 32 vjeç, dyshohet i vrarë me armë zjarri. Në lidhje me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Endri Mustafa nuk është një person i panjohur për policinë e shtetit pasi kohë më parë ka pasur precedentë penal. Së bashku me vëllezërit e njohur Bilali, Astrit dhe Brahim Bilali, kanë qenë të arrestuar në vitin 2016, pasi u janë gjetur dhe sekuestruar armë e mutacione.
Gjatë kontrollit të atëhershëm policia sekuestroi 6 automjete të ndryshme, 2 antiplumba, 305 copë fishekë model 56, 5 krehëra armë zjarri automatikë, 2 krehëra pistoletë TT, 5 skafandra motori, 4 maska dhe 4 kapuçë me ngjyrë të zezë, 7 copë fishekë model 54, 3 gëzhoja model 54, rroba me mbetje si gjaku dhe 8 telefona celularë të markave të ndryshme.
Arsenali i armëve të sekuestruara nga policia në 2016
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.