“Kam vrarë motrën”, 55-vjeçari qëllon me 4 plumba motrën e tij në Shkodër dhe e mban të vdekur 3 ditë në shtëpi

Koha e leximit1 minuta, 58 sekonta

SHKODËR– Një krim i rëndë në familje, është zbuluar mbrëmjen e së djelës rreth orës 22:30 në Shkodër, ku vëllai ka qëlluar me 4 plumba motrën e tij.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Ndoz Mazi” ne Shkodër, ku krimi kishte ndodhur 3 ditë më parë por u zbulua vetëm mbrëmjen e djeshme. 55-vjeçari Fabjan Vukaj ka vrarë me armë zjarri motrën e tij, Diana Vukaj, 58 vjeç, e cila u gjet e pajetë në krevatin e saj. Sipas burimeve të para dyshohet se konflikti ka nisur për pronësinë e shtëpisë dhe në gjaknxehtësi e sipër 55-vjeçari ka qëlluar motrën e tij.

Viktima kishte planifikuar të mobilonte me orendi të reja shtëpinë e pushimit që kishte në Velipojë, si dhe shtëpinë në të cilën jetonte vëllai i saj. Ajo kishte bërë porositë me vlerën 4 mijë euro, por që vëllai e kishte kundërshtuar duke dashur që t’i merrte vetë paratë dhe mos të mobilonte shtëpitë. Për këtë arsye ata kanë debatuar ashpër mbrëmjen e 5 qershorit, ku ka përfunduar me vrasjen e Dianës.

Mësohet se Diana Vukaj ka qenë emigrane në Gjermani dhe përpara 3 ditësh kishte ardhur në Shqipëri. Më pas ajo kishte humbur cdo kontakt me familjarët e saj, çka bëri që ata të denonconin në polici humbjen e saj. Policia ka mbërritur në banesën e saj për të bërë kontrollin dhe e kanë gjetur të vdekur në krevat.

Fabjan Vukaj njihej si njeri që konsumonte shumë alkool dhe luante bixhoz. Nga kontrolli i policisë, brenda banesës u gjetën 6 shishe birre 1.5 kg secila të boshatisura, gjë që tregon se ka qenë nën ndikimin e alkoolit kur ka kryer vrasjen.

Në vendin e ngjarjes u gjetën 4 gëzhoja pistoletë 7.62  mm dhe arma e krimit me një krëhër me 4 fishekë dhe një fishekë në fole. Gjithashtu në banesën e 55-vjeçarit në lagjen ‘3 Heronjtë’ u gjet edhe një krehër pistolete zastava  pa fishekë, një krëhër automatiku pa fishekë dhe një silenciator automatiku.

Flitet se autori pasi ka vrarë të motrën ka dalë në lagje duke thirrur se “kam vrarë motrën”, megjithatë ky detaj nuk është konfirmuar zyrtarisht.

55-vjeçari jetonte vetëm dhe ishte i papunë. Diana i dërgonte 300 euro çdo muaj për t’a ndihmuar. Mësohet se ai me motrën ka pasur cdohere konflikte kur ajo kthehej nga Gjermania për pushime në Shkodër.

/Zoguu.al/

Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Previous post Java e parë e qershorit mbyllet pa asnjë viktimë, gjatë 24 orëve të fundit raportohen 5 raste të reja infektimi
Next post FOTOLAJM/ Kurrë shteti nuk ka qenë kaq përballë njeriut