
Tedi Blushi
TIRANË– Presidenca ka hedhur një akuzë te fortë ndaj qeverisë për keqpërdorim të të dhënave private.
Tedi Blushi thotë se është keqpërdorur numri personal i presidentit Ilir Meta duke dërguar mesazhe fyese dhe kërcënuese në adresë të qytetarëve të ndryshëm.
E cilëson një skandal kriminal dhe thotë se institucionet shqiptare nuk janë funksionale, do kërkohet hetim i menjëhershëm ndërkombëtar. Sipas tij, e gjithë kjo është bërë për qëllime survejimi politik elektoral dhe shantazhimi.
“Në emër të Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta dënoj me forcë konsumimin e veprës penale të keqpërdorimit të mesazheve telefonike, gjoja në emër të Kryetarit të Shtetit, nga disa persona të identifikuar, që sipas të dhënave të siguruara, kanë dërguar këto ditë mesazhe me përmbajtje fyese dhe kërcënuese në adresë të disa qytetarëve. Për këtë skandal kriminal të keqpërdorimit të numrit të Presidentit të Republikes do kërkohet hetim i menjëhershëm edhe ndërkombëtar, pasi nëse institucionet tona do të ishin funksionale askush nuk do të guxonte të bënte akte të tilla të çmendura dhe të dënueshme ligjërisht, që mund të venë në rrezik serioz edhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s”, tha Blushi.
Blushi u kërkon ndjesë qytetarëve për shqetësimin dhe falenderon personat që e informuan.
“Falenderojmë ish-kryetarin e Bashkisë Berat, z.Petrit Sinaj, ish-kryetarin e Bashkisë Skrapar z.Nesim Spahiu, deputetin Lefter Maliqi, ish-deputeten Silva Caka dhe shumë të tjerë, që na informuan menjëherë. Edhe njëherë ju kërkojmë ndjesë të gjithë qytetarëve për shqetësimet, që u kanë krijuar mesazhe të tilla, që kanë vetëm një përgjegjës: Organizatën Rilindja. Është pikërisht kjo organizatë, që në mënyrë mafioze dhe të paligjshme rrëmbeu të dhënat personale të të gjithë qytetarëve për qëllime survejimi politik elektoral dhe shantazhimi. Kur guxojnë të bëjnë një krim të tillë duke guxuar të fabrikojnë numrin zyrtar të telefonit të Presidentit të Republikës, ç’mund t’u bëjnë këta banditë qytetarëve të thjeshtë”, tha Blushi.
Një denoncim i tillë është bërë më herët edhe nga ish-deputeti i LSI-së, Lefter Maliqi. Ai denoncoi Jurgen Pilkatin, që sipas tij është IT i Nasip Naços dhe kërkoi që të zbardhej nga organet e drejtësisë.
“Skandal, ky është Jurgen Pilkati, IT i Nasip Naços, sipas të dhënave që më çon mua dhe disa të tjerëve mesazh fyes në emër të presidentit. Uroj që këto të zbardhen nga organet e drejtësisë. Çdo skenar i tille do u dal boja shpejt, siç do u dal boja krimit mafioz elektoral të mirëorganizuar për blerjen masive të votuesve të LSI nga parat e krimit, drogës dhe oligarkëve. E drejta do triumfoj mbi këtë manipulim dhe krim ekektoral”, denconcoi Maliqi.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.