
Këto NUK janë zgjedhje historike (nuk ka të tilla që nga 1992)
-
Nga Alfred Lela
Partia Socialiste, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim apo edhe partitë e tjera, që garojnë për herë të parë në zgjedhje, do donin që ju të besonit kështu. Që këto zgjedhje janë historike: ‘më të rëndësishmet’, ‘më vendimtaret’, ‘më përcaktueset’ për drejtimin e Shqipërisë etj. Thellë-thellë këto janë superlativa dhe komplimente që krerët e këtyre partive, apo militantët e itharët e tyre, i bëjnë vetes dhe forcave të tyre, por pak kanë të bëjnë me të vërtetën.
Rama në krye të PS ofron garancinë se këto zgjedhje janë historike sepse duhet t’i fitojë ai, duke e ndarë kështu Shqipërinë nga e shkuara, që sipas tij përfaqësohet nga Berisha e Meta. Por Rama harron se edhe vetë është, në një mënyrë a tjetër, e shkuara. Ai ka qenë në pushtet që në vitin 1998.
Basha në krye të PD thotë se këto zgjedhje janë historike, sepse duhet të marrë fund diktatura e së keqes ‘që përfaqësohet nga Rama dhe Rilindja, se me të fillon pranvera dhe triumfon shpresa, e me radhë. Tetë vjet si minister dhe katër vjet si kryetar bashkie, e bëjnë edhe Bashën një klient të parë të pushtetit të lartë dhe njohës së historisë së tij.
Presidenti Meta gjithashtu don të na mbushë mendjen se këto zgjedhje janë historike. Ai është më i vjetër dhe më i afërt me pushtetin se të dy, Rama e Basha bashkë. Ka provuar parlamentin si deputet, qeverinë si kryeminiistër dhe zv/kryeminitër, Kuvendin si kryetar i tij dhe tashmë është President i Republikës. Duke qenë se është protagonist i historisë 30 vjeçare të tranzicionit, atij i takon t’i konsiderojë ahistorike, jo historike, këto zgjedhje sa kohë ai dhe të ngjashmit e tij janë ende në to.
Edhe krerët e partive të reja, rishtare në procesin zgjedhor, u përshtatet të thonë se zgjedhjet e 25 prillit janë historike. E kanë, sipas të gjitha gjasave, me historinë personale politike dhe të formacioneve të tyre të reja, se sa me atë të kombit. Kjo për faktin se lëvizjet e tyre, në masën më të madhe nuk janë vijnë nga poshtë lart (grassroots), por vijnë si sythe të reja partive të vjetra.
Edhe Vetëvendosja ka këtë kuptim të rrejshëm historik për zgjedhjet, edhe pse kandidatë e saj janë më të heshtur dhe fshihen pas zbutësit ‘i pavarur’. Ata kërkojnë që historia e Kosovës prej nga rrjedhin të mësohet dhe të shtrhet edhe në Shqipëri, gjë që duket e pamundur, sepse proceset politike janë të paimitueshme, për një mijë arsye të cilat nuk mund të shpjegohen këtu.
Kështu që këto zgjedhje nuk janë historike. Të vetmet të tilla në Shqipëri kanë qenë ato të marsit 1992, kur në pushtet erdhi Partia Demokratike e dalë nga vullkani antikomunist i rrëzimit të sistemit.
Paradoksalisht, nuk janë partitë por individët ‘historikë’ në këto zgjedhje. Ai që shquan dhe mund të shërbejë si ilustrim është kandidati i pavarur i Dibrës, Elton Debreshi, që kandidon në emër të minatorëve të nëpërkëmbur të kësaj treve.
Edhe një moment historik që mund ta shenjonin këto zgjedhje, listat e hapura, u goditën pikërisht nga partitë ahistoriketë cilat ishin më të interesuara që të votohej për siglën, kryetarin (siç dëshmohet në lista), duke propaganduar premtimin e listave të hapura dhe më pas mbajtjen mbyllur të tyre. Liria më e madhe që iu njoh kandidatit të përveçëm në listat ende partiake ishin numrat në vend të emrave, duke i numerizuar dhe anonimizuar.
Këto zgjedhje do të ishin historike nëse Diaspora shqiptare, e cila numëron thuaje po aq banorë sa shteti amë, të votonte në zgjedhjet e 25 prillit. Prej dy dekadash e dëgjojmë këtë premtim nga partitë që sot bërtasin për historinë dhe ende asgjë nuk është bërë. Edhe një dritare e vogël që u hapet shqiptarëve që jetojnë në vendet fqinje u mbyll nga një vendim absurd i Komisionit shëndetësor i cili i skualifikoi për votime shqiptarët që vijnë në atdhe nga Greqia dhe Maqedonia.
Kësisoj, heroizimi i këtyre zgjedhjeve është politik, jo faktik. Fakti që në 18 palë zgjedhje, që nga vitit 1992, e kemi ndërruar 13 herë legjislacionin zgjedhor tregon se këto zgjedhje, si dhe të tjerat, janë një eksperiment i kurtheve politike për kundërshtarin, jo një përmasë e historisë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e politiko.al
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.