
Montazh
TIRANË– Ditën e sotme Komisioni Hetimor është mbledhur për miratimin e raportit të të gjitha shkeljeve që ka bërë presidenti Ilir Meta.
Kryetari i Komisionit Alket Hyseni, lexoi raportin përfundimtar dhe u shpreh se presidentit i takon të jetë neutral, por Meta bëri një fushatë kundër partisë në pushtet me të gjithë fuqinë institucionale të tij, e cila ndikoi në procesin zgjedhor.
“Presidenti nuk duhet të bëjë pjesë në asnjë parti politike, presidenti duhet të jetë uniteti por edhe duhet të shihet dhe perceptohet nga i gjithë populli si neutral. Sjellja e Presidentit duhet të përcaktohet si rol ekuilibrues në jetën politikë të vendit dhe nuk përfshihet në lojën e përditshme politike. Kryetari i shtetit nuk duhet të mbështesë forca të caktuar apo t’i kundërvihet forcave të ndryshme politike. Presidenti bëri një fushatë kundër partisë në pushtet me të gjithë fuqinë institucionale të tij. Edhe ODIHR shkruan se Meta mban një marrëdhënie kritike dhe të ashpër ndaj qeverisë duke ndikuar drejtpërdrejtë në zgjedhje me tonet e tij konfrontuese edhe të nxehta. Në kapacitetin e tij ai bëri fushatë kundër partisë në pushtet”, tha Hyseni.
Ndërkohë, reagim i menjëhershëm është bërë nga Presidenca, në të cilin këto vendime cilësohen si nul, antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit. Gjithashtu thuhet se e gjitha është një tentativë për të shmangur krimet e 25 prillit dhe se Ilir Meta do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik 2022.
“Asnjë koment dhe zero shqetësim për çdo vendim nul apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak, që tenton me dëshpërim të shmangë vëmendjen nga debati publik për krimet e faktuara zgjedhore të 25 prillit, autorët dhe frymëzuesit, tutorët dhe bashkëpunëtorët e tyre, të angazhuar në këtë farsë kundër të vetmit institucion, që respekton dhe mbron Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe sovranitetin e saj.
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e Tij deri më 24 korrik 2022, me të njëjtën përgjegjësi të lartë, vetëm në respekt dhe mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar”, shkruhet në reagimin e presidencës.
Kjo është hera e dytë që nisin procedurat për shkarkimin nga detyra të Metës. Këtë herë Partia Socialiste ka deklaruar se presidenti ka kryer shkelje kushtetuese dhe ka nxitur dhunë përmes deklaratave të tij.
Komisioni Hetimor i ka bërë disa herë thirrje presidentit për një seancë dëgjimore, por ai nuk ka pranuar duke e cilësuar si antikushtetues.
Komisioni u ngrit me firmën e 49 deputetëve socialist për shkarkimin e Metës. Sot u miratua raporti përfundimtar, i cili brenda 7 ditëve do i dërgohet Parlamentit, që më pas do shpall vendimin.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.