
Komiteti Teknik i Ekepertëve lë në fuqi masat antiCOVID, u bën apel qytetarëve për vaksinim
TIRANË– Në mbledhjen e ditës së sotme, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mos ndryshojë masat për COVID-19.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, u shpreh se situata mund të mbahet nën kontroll vetëm nëse njerëzit do të respektojnë masat. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të vaksinohen, pasi në këtë mënyrë mund të parandalohen valët e tjera të virusit.
Komiteti tha se qytete më të prekura nga rastet e reja janë Saranda, Himarë, Malësi e Madhe, Shkodra Tirana dhe Vlora, ndërsa qyteti me mbulimin më të mirë të vaksinimit është Gjirokastra dhe më pas Tirana.
“Numri i të infektuarve është ndjeshëm i shtuar dhe shkaku është prania e variantit Delta. Numri i të infektuarve të pavaksinuarve është 32 herë më i lartë se i të vaksinuarve. Ata që janë me forma të rënda të shtruara në spitale shumica janë të pavaksinuar. Në krahasim me vitin e kaluar, numri i të shtruarve në spitale është ndjeshëm më i ulët. Një vit më parë kemi pasur të mbushur plot Covid-1 dhe mbi gjysmën e kapacitet të mbushur te Covid-2. Problem është zbatimi i masave, që kemi në fuqi. Situata mund të kontrollohet, duke mbajtur të njëjtin nivel masash, por duke i zbatuar.
Masat që janë në fuqi:
Detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura dhe ku ka grumbullime njerëzish, sidomos në aeroporte.
Grumbullimet në ambientet e jashtme do vazhdojnë të jenë të lejuara deri në 50 persona.
Ora policore do vazhdojë të mbetet në fuqi 00:00-06:00 dhe muzika deri në 23:00. Vijojnë të lejohen aktivitetet sportive, teatro, me kapacitete të reduktuara deri në 30%.
Ne mendojmë se nëse këto protokolle zbatohen me rigorozitet dhe nëse vazhdojmë të vaksinohemi, situata mbahet nën kontroll. Vaksinimi dhe zbatimi i masave janë të vetmet mënyra që ne mundet të kontrollojmë infeksionin dhe të mos përballemi me valë të tjera”, tha zv.ministrja Rakacolli.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.