
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu
TIRANË– Komiteti Teknik i Ekspertë pas një mbledhje të realizuar ditën e sotme ka bërë të ditur vendimet në lidhje me masat e reja antiCOVID.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se duke filluar nga dita e nesërme do të ndryshojë ora policore nga 20:00 që ishte në 22:00.
Gjithashtu janë hapur edhe fluturimet me Britaninë e Madhe. Manastirliu theksoi se masat e tjera siç janë maskat, grumbullimet, higjena, etj, do të mbeten të pandryshuara.
“Nuk ndryshon asgjë nga protokollet e sigurisë për të gjitha aktivitete dhe të gjitha masat që kemi deri tani do vijojnë të qëndrojnë siç janë. Ora policore do të bëhet nga ora 22 deri në orën 06 të mëngjesit. Impakti i lehtësimit do të monitorohet për dy javë. Duke marrë në konsideratë përmirësimin e situatës epidemoiologjike në Mbretërinë e Bashkuar, Komiteti ka propozuar rihapjen e fluturimeve me Mbretërinë e Bashkuar. Duhet të mos neglizhojmë masat dhe të shmangen grumbullimet që vijojnë të mos jenë të lejuara. Ne do të vijojmë me planin tonë të vaksinimit masiv që pritet të të intensifikohet edhe më shumë në ditët në vijim. Prej ditës së hënë do shtrihet vaksinimi masiv +60, pritet që në javën që hymë të mbërrijnë edhe doza të tjera të vaksinave nga Sinovac dhe Pfizer dhe përgjatë muajit prill presim të kemi edhe doza të tjera dhe nga mekanizmi i Covax. Virusi është ende prezent, rreziku është ende këtu, ndaj masat që kemi aktualisht duhet të vijojmë t’i respektojmë, duke filluar nga distanca, maska, higjiena personale, duke shmangur grumbullimet dhe sigurisht duke vijuar me vaksinimin”, tha Manastirliu.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.