November 27, 2021

Zoguu.al

Zoguu.al

Kosova në zgjedhje! Njihuni me zhvillimet e fundit në vend

4 min read

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se deri në orën 11 kanë votuar rreth 150 mijë qytetarë apo 8.2% e atyre që kanë të drejtë vote. Komunat e banuara me shumicë serbe janë ato që kanë pjesëmarrjen më të lartë të qytetarëve në votime.

Zyrtarë të KQZ-së thanë se deri tani procesi i zgjedhjeve është duke vazhduar qetë dhe pa incidente.

Rreth 1 milionë e 890 mijë qytetarë me të drejtë vote në Kosovë, mund të zgjedhin të dielën udhëheqjen e re të 38 komunave të vendit.

Kosova ka 883 qendra votimi me 2 mijë e 477 vendvotime, në të cilat vota do të përcaktojë se kush nga 166 kandidatë e partive politike do të drejtojë komunat dhe kush nga mbi 5 mijë kandidatë të tjerë, do të zërë vend në kuvendet e këtyre komunave.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se në këto zgjedhje qytetarët votojnë për kualitetin e jetës së tyre ndërkaq bëri thirrje për një proces demokratik dhe të lirë.

Vjosa Osmani
Vjosa Osmani

“Prandaj i ftoj që në numër sa më të madh të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor, ta dëshmojnë sërish që qytetarët e Kosovës janë ata që në radhë të parë e mundësojnë e në radhë të dytë e mbrojnë çdo proces demokratik që të jetë i lirë dhe të drejtë që ka të bëj me jetën e tyre. Shpresoj që zgjedhjet sot të kalojnë pa asnjë incident”, tha presidentja Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri thirrje që të shfrytëzohet procesi i votimit nga të gjtihë qytetarët.

Albnin Kurti
Albnin Kurti

“Si qytetar i Republikës dhe si banor i kryeqytetit porsa ushtrova të drejtën për të votuar në këto zgjedhje të lira e demokratike. Qytetarët e Republikës së Kosovës anembanë komunave të shtetit tonë sot vendosin se kush do të vendos, pra përcaktohen se kush do të jenë udhëheqjet dhe përfaqësuesit e tyre. I inkurajoj të gjithë qytetarët pa dallim prejardhje, përkatësie apo pasurie që ta shfrytëzojnë këtë moment barazie që t’i përdorin mundësitë e barabarta që i kanë sot”, tha ai.

Edhe përfaqësuesit e partive opozitare bënë thirrje që qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të vendosur për qeverisjen lokale.

Memli Krasniqi
Memli Krasniqi

“Unë jam udhëheqës i opozitës, por sot këtu para së gjithash jam qytetar i Prishtinës dhe jam banor që me familjen time jetoj në këtë qytet andaj edhe ky obligim qytetar dhe kjo votë bëhet para se gjithash si qytetar i Prishtinës që e dëshiron më të mirën e komunën e tij, për vendin e tij dhe shpreoj që edhe gjithë qytetarët tjerë do të të shfrytëzojë të drejtën e tyre, obligimin e tyre demokratik për të zgjedhur kandidatit më të mirë dhe që ata u besojnë më së shumti”, tha Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

“Sot natyrisht është festë sepse vendimmarrja u kthehet qytetarëve tanë dhe nuk ka gjë më të mirë e më të bukur se sa kur qytetarët vendosin për të ardhmen e tyre. Uroj që kjo ditë ta kaloj sa më mirë”, tha Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj

“Shfrytëzojeni të drejtën me votu, edhe unë votova, qeversija komunale është mjaft e rëndësishme për jetën e juaj, për jetën e qytetarëve, pra në të gjitha drejtimet e jetës ju ftoj të vendosni për vetën, pra votoni dhe mos e lini votën në shtëpi”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Rreth 25 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë do të ndjekin nga afër procesin e votimeve, në mesin e të cilëve mbi 200 janë nga Bashkimi Evropian dhe përfaqësitë diplomatike në Kosovë.

Shefi i misionit vëzhgues të Bashkimit Evropian të zgjedhjeve, Lukas Mandl, tha se procesi i votimit po shkon qetë.

Lukas Mandl
Lukas Mandl

“Ekzistojnë mënyra të ndryshme për të kontribuar në demokraci mirëpo mënyra më e mirë është përmes votës, prandaj mesazhi im sot është që, inkurajoj secilin që të votojë”, tha ai duke nënvizuar se janë gjithsejt 100 vëzhgues të këtij misioni të angzhuar për zgjedhjet lokale.

Ambasada amerikane në Prishtinë u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës për të përmirësuar cilësinë e jetës.

Mbi 3 mijë e 300 pjesëtarë të policisë dhe rreth 100 prokurorë e gjykatës, do të kujdesen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe parandalimin e keqpërdorimeve.

Zgjedhjet e sotme shihen si një sprovë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe lëvizjen Vetëvendosje, që dolën fitues në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të këtij viti.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e zeriamerikes.com

/Zoguu.al/

Open chat
Raporto!