
Sali Berisha
TIRANË– Ish-kryeministri, Sali Berisha u vetëdeklarua si pjesë e grupit parlamentar, por Kuvendi sot ka miratuar kërkesën e Partisë Demokratike për ta lënë atë jashtë.
Ky vendim u mor javën e kaluar nga kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe do të qëndrojë në fuqi derisa të sqarohet cështja e shpalljes së tij “non grata” nga SHBA.
Rreth kësaj situate, Berisha reagoi ashpër duke kundërshtuar vendimin dhe duke përmendur pazare mes Bashës dhe Ramës.
Ndërkohë, në rregulloren e Kuvendit thuhet se deputetët mund të formojnë grupe parlamentare sipas përkatësisë partiake ose orientimit politik. Për krijimin e një grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh.
“Deputetët mund të formojnë grupe parlamentare sipas përkatësisë partiake ose orientimit politik. Brenda 3 ditëve nga data e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, çdo deputet deklaron me shkrim se në cilin grup parlamentar bën pjesë. Deputetët që zgjidhen gjatë legjislaturës, e bëjnë deklarimin brenda 3 ditëve nga kryerja e betimit. Për krijimin e një grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh. Çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar. Një deputet që largohet nga grupi parlamentar, mund t’i bashkohet një grupi tjetër parlamentar vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit. Çdo grup parlamentar, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh kryesinë e tij. Aktualisht grupi parlamentar “Demokraci dhe Integrim” ka në përbërje 7 deputetë dhe kryesohet nga deputetja Mesila Doda.”, -thuhet në njoftim.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka në përbërje 44 deputetë dhe kryesohet nga deputeti Alfred Rushaj, ndërsa grupi parlamentar “Aleanca per Ndryshim” do të kryesohet Fatmir Mediu.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.