
LUSHNJE/ Ekzekutohet brenda lokalit të tij 34-vjeçari në Lushnje, plagosen 5 persona të tjerë
LUSHNJE– Një ekzekutim me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Lushnje, ku mbeti i vrarë pronari i një lokali dhe 4 të tjerë u plagosën.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00. 2 persona brenda automjetit tip “Golf”, kanë ndaluar përpara lokalit “Pedonale” në Lushnje dhe kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi brenda ambjenteve të tij, i cili ishte i mbushur me njerëz.
Plumbat kanë prekur pronarin e lokalit, shtetasin 34-vjeçar, Bledar Muça, i cili ishte duke pirë kafe bashkë me kunatin e tij 32-vjeçar, Judin Velo. Ai mbeti menjëherë i vdekur, ndërsa kunati u plagos dhe ndodhet në terapi intensive. Të plagosur kanë mbetur gjithashtu shtetasit Ervis Tafa, Sara Liçi, 24 vjeç, Eksara Sauli, 26 vjeç dhe Majlinda Gjyli 66 vjeçe, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu brenda lokalit prezent kanë qenë klientë të ndryshëm, të cilët janë trembur nga ngjarja e ndodhur.
Pas sulmit, autorët janë larguar nga vendngjarja. Pas pak kohësh, policia ka arritur të gjejë të djegur makinën e tyre poshtë urës së Rrogozhinës. Automjeti Golf ishte me targa italiane dhe brenda saj u gjet edhe një kallashnikov, i cili dyshohet të jetë arma e krimit.
Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës me qëllim identifikimin dhe kapjen e tyre. Gjithashtu edhe në Elbasan janë ngritur pika kontrolli në hyrje të këtij qyteti dhe po kontrollohen automjete nëse autorët kanë mundur të dalin nga qyteti pa lënë gjurmë.
Viktima Bledar Muça, nuk rezulton me precedent të mëparshëm penal. Ai është pronar i disa lokaleve në qytet, një prej të cilëve dhe “Pedonale’’ ku mbeti i vrarë.
Pista e parë hetimore e këtij atentati është lidhja fisnore që ka Muça me anëtarin e bandës “Hakmarrje për Drejtësi”,Roland Shytin. Muça rezulton i martuar me mbesën e Shytit dhe përveç kësaj kanë dhe lidhje të forta miqësie.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.