
Ogerta Manastirliu
DURRËS– Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar qendrën e plazhit të vjetër në Durrës, një nga 29 qendrat shëndetësore verore të hapura për pushuesit përgjatë zonave turistike.
Ajo u shpreh se më shumë se 10 mijë pushues vendas kanë marrë shërbime në këto qendra shëndetësore verore, ndërkohë që më shumë se 4 mijë janë pushues të huaj, i kanë marrë shërbimet falas.
Manastirliu tha se ky program ka lehtësuar punën e spitaleve, pasi pacientët tashmë mund të marrin shërbimet pranë zonave të pushimit.
“Nga 15 qershori deri më sot janë më shumë se 14 mijë vizita dhe shërbime që janë ofruar për pushuesit vendas dhe të huaj. Janë më shumë se 10 mijë pushuesit vendas që kanë marrë shërbime në këto qendra shëndetësore verore, ndërkohë që më shumë se 4 mijë janë pushues të huaj, turistë, të cilët kanë ardhur dhe kanë marrë shërbime falas në këto qendra. Ky program, tashmë funksional prej 7 vitesh, ka lehtësuar shumë punën në spitale. Sepse gjithë ky fluks i madh pacientësh që kanë marrë shërbim, nuk janë drejtuar dyerve të spitaleve, por i kanë marrë këto shërbime pranë zonave të pushimit. Qendrat shëndetësore verorë janë rritur në numër vit pas viti, duke mbuluar me shërbim dhe ato zona të pambuluara më parë”, tha Manastirliu.
Ndërsa tha se programi i vaksinimit do të vijojë, ministrja u bëri thirrje qytetarëve të vaksinohen për tu mbrojtur nga COVID-19.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.