
Ogerta Manastirliu
TIRANË– Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka njoftuar se Shqipëria do të sigurojë edhe 23,400 doza të tjera vaksinash Pfizer, si pjesë e marrëveshjes që qeveria shqiptare ka me instrumentin Covax.
Ajo tha se kjo është kontrata e dytë e vendit me kompaninë Pfizer, pas asaj të parës që Shqipëria siguroi 500 mijë doza vaksine, lëvrimi i të cilave ka filluar që në muajin shkurt.
“Sjellim sot në Kuvend për miratim një tjetër marrëveshje për vaksinat Pfizer, pjesë e marrëveshjes kuadër që qeveria shqiptare ka me instrumentin Covax, nga i cili do të sigurojmë rreth 1,140,000 doza vaksinash. Nëpërmjet instrumentit COVAX tashmë është bërë e mundur mbërritja e 120 mijë dozave AstaraZeneca, me marrëveshjen sipas dritares së hapur nga ky instrument dhe marrëveshja e radhës nga ky instrument lidhet me kompaninë Pfizer, nga e cila do të sigurojmë në këtë fazë, 23,400 doza vaksine Pfizer Bion-Tech, të cilat pritet të vijnë së shpejti në Shqipëri. Kjo është një tjetër kontratë, përpos kontratës direkte që qeveria shqiptare ka miratuar me Pfizer për rreth 500 mijë doza vaksine, lëvrimi I të cilave ka filluar që në muajin shkurt”, deklaroi Manastirliu.
Manastirliu u shpreh se lehtësimi i masave anticovid po vijon gradualisht, teksa njoftoi se nga sot ora policore do të zgjatet deri në orën 24:00, si dhe do lejohet pjesëmarrja e publikut, spektatorëve apo tifozëve në aktivitetet sportive, sociale, kulturore apo konferencat.
“Ne do të vijojmë, siç kemi bërë nga dita e pare e epidemisë në vend, të ndjekim rekomandimet e ekspertëve. Po vijojmë më lehtësimin gradual të masave antiCOVID. Nga sot zgjatet ora policore deri në orën 24:00 si edhe lejohet pjesëmarrja e publikut, spektatorëve apo tifozëve në aktivitetet sportive, sociale, kulturore apo konferencat.
Edhe pse përmendi lehtësimin e masave, ministrja ngriti alertin për shkak të variantit Delta, i cili është identifikuar në vendet e rajonit, ndaj u bëri thirrje qytetarëve të jenë të vëmendshëm dhe të tregojnë kujdes maksimal.
Por ka një alert që ekspertët tanë referojnë dhe doja ta sillja në vëmendjen tuaj dhe të gjithë qytetarëve: Është alerti për shkak të variantit Delta (Delta Plus), i cili është identifikuar edhe në vendet e rajonit dhe nga OBSH vlerësohet si variant shqetësues për impaktin në shëndetin publik dhe për këtë arsye kërkohet kujdes maksimal”, theksoi Manastirliu.
Manastirliu bëri me dije se gjatë verës do vijojë vaksinimi masiv i popullsisë, si dhe ditët e hapura të vaksinimit. Ajo e cilëson vaksinimin si e vetmja armë jetëshpëtuese, ndaj u bën thirrje qytetarëve të vaksnohen.
“Gjatë sezonit të verës do të vijojmë me vaksinimin në komunitet, me vaksinimin në shtëpi për të pamundurit, për të moshuarit kryesisht, për ta shfrytëzuar sa më mirë këtë periudhë për të rritur mbrojtjen nga Covid19. Është e rëndësishme që gjatë këtij procesi të kemi një mbulesë të mirë vaksinale të grupmoshave. Ne do të ulim fashën dhe do të vijojmë gjithashtu me ditët e hapura të vaksinimit edhe në muajin korrik dhe gusht. Kemi në fokus vaksinimin, pasi është e vetmja armë jetëshpëtuese. Ndaj, të gjithë atyre që u jepet mundësia për t’u vaksinuar, ta shfrytëzojnë dhe të mos ketë asnjë neglizhencë”, tha Manastirliu.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.