
Maqedonia e Veriut, peng i interesave Bullgare
Nga Marina Kërceli
Pothuajse mbas shumë e shumë vitesh plot zhgënjim dhe pengesa të mëdha që shteti fqinj, Greqia dhe më vonë Franca, ju ngarkuan Maqedonisë së Veriut, qytetarët e këtij vendi të vogël më në fund filluan të besojnë se mund t’i hapnin bisedimet për anëtarësim në BE. Por jo gjithçka ecën sipas parashikimeve.
Ndryshe nga dy shtetet e para, Bullgaria i vendosi këtij vendi në Ballkanin Jugor, kushte dhe shtrëngesa akoma dhe më absurde se ato të viteve të kaluara. Sofja ri-ndez disa konflikte të moçme duke kërkuar që Shkupi të pranojë se gjuha maqedonase është thjesht bullgarishte dhe se maqedonasit janë në fakt bullgarë. Ky vend u pranoi të bëhej pjesë e një kornize negociatash me BE-në në mars.
Është ironike fakti sesi ishin grekët ata që mohuan qenien e Maqedonisë së Veriut si shtet, ndërsa bullgarët shkuan edhe më tej, i mohuan këtij shteti gjuhën dhe origjinën e popullit të saj përmes pretendimit se ato janë thjesht sajime artificiale. Sakaq, Bullgaria po duket se i krijon trysni shtetit të Maqedonisë së Veriut të heqë dorë nga minoriteti i vet bullgar dhe t’i kundërvihet presionit që i ushtrohet këtij komunitetit. Përpjekja e tanishme e Bullgarisë për të bindur botën dhe vetë popullin Maqedonas, me disa shënime në dokumentet evropiane, se gjuha maqedonase nuk është gjuhë e veçantë, por vetëm një dialekt i bullgarishtes, është një gjest politik që ndoshta as nuk mund të ndryshojë asgjë kurrë, por vetëm përpjekja e këtij shteti po duket se kërkon që të ndihen plagët e vjetra dhe për ta nxjerrë në një farë mënyre shtetin Bullgar në një tallje ndërkombëtare.
Por kësaj here vetoja bullgare qe ajo që u shfaq si një pengesë e pakapërcyeshme në udhën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Bullgaria qe i pari vend që njohu Maqedoninë e Veriut, me emrin e saj kushtetues, në janar 1992, por duke mos njohur kështu kombin dhe gjuhën maqedonase. Ku, vite më vonë, në gusht të vitit 2017, të dyja vendet nënshkruan Marrëveshjen e Miqësisë, edhe pse problemet që u sipër përmenden mes tyre, përsëri vazhdonin dhe qëndronin ndezur.
Disa nga kushtet që shteti bullgar ka vendosur në lidhje me veton, janë këto të nënrenditura:
-Të specifikojë në OKB se emri i shtetit vlen vetëm për shtetin si subjekt politik dhe jo për rajonin gjeografik Maqedonia e Veriut;
-Të tërhiqet nga pretendimet për pakicë maqedonase në Bullgari;
-Të fillojë rehabilitimin e viktimave të komunizmit jugosllav në territorin e Maqedonisë së Veriut;
-Të rishikojë përmbajtjet mësimore në marrëveshje me historianët bullgarë;
-Të eliminojë shenjat dhe mbishkrimet me gjuhë të urrejtjes ndaj bullgarëve në territor të Maqedonisë së Veriut.
Por, deri në këtë moment që flasim, detyrimet e pretenduara nga Bullgaria nuk janë konfirmuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme Bullgaria vijon presionin mbi Maqedoninë e Veriut për atë që e quan diskriminim të pakicës bullgare në vend dhe vijon ta kushtëzojë votën pro pranimit të Shkupit në BE me zbatimin e marrëveshjes së vitit 2017. Marrja e pasaportave bullgare në Maqedoninë e Veriut është një çështje shumë aktuale këto 10 vitet e fundit. Me qëllim që të sigurojnë një jetë më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian, mijëra qytetarë maqedonas, çdo vit aplikojnë për të marrë pasaportë bullgare dhe largohen nga Maqedonia e Veriut drejt BE-së.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.