
Ndërron jetë nga COVID-19 aktori i njohur, Guljelm Radoja
TIRANË– Ka ndërruar jetë në moshën 75 vjeçare për shkak të COVID-19, aktori i njohur, Guljelm Radoja. Radoja kishte mbi një muaj që luftonte me virusin COVID-19 ku për fat të keq nuk ja doli dot.
Lajmi është konfirmuar nga djali i tij, pianisti Red Rdoja, teksa shkruan edhe disa fjalë të ndjera për babanë e tij që nuk jeton më.
“Pushofsh në paqe bab! Do ndrijnë akoma sytë e tu mbi ballin e vajzës, djalit, mbesave dhe nipit të vogël”, shkruan ai.
Më herët, skenaristi Bashkim Zahaj, i kishte bërë një apel qeverisë që aktori të dërgohej për një mjekim më të specializuar jashtë vendit por kjo gjë nuk u realizua.
Kujtojmë që më herët COVID-19 u ka marë jetën edhe artistëve si Muharrem Fejzo, Arben Bajo, Koço Devole apo edhe Kujtim Prodani.
Kush ishte Guljelm Radoja?
Guljelm Radoja ka lindur në 2 korrik të vitit 1945 në qytetin e Shkodrës. Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, fillon punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit.
Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Mojsiu” në Durrës. Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois Ëedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.
Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinnierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.
Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.