
Selia e Partise Demokratike
TIRANË– Deri më tani janë 5 persona që kanë hedhur kandidaturën për tu bërë kryetar të Partisë Demokratike.
Lulëzim Basha ka dorëzuar zyrtarisht kandidaturën për të qenë kreu i PD. Ai kërkon të vijojë drejtimin e partisë dhe u shpreh se nuk do të ndalojë së luftuari për demokracinë dhe të ardhmen.
Edith Harxhi është kandidatja tjetër për kreun e PD dhe në fjalën e saj premtoi reformimin e Partisë Demokratike mbi vlerat e vitit 1990. Ajo tha se ka hyrë për të përfaqësuar një projekt të ri për Partinë Demokratike, i bazuar në vlerat e vërteta më të mira të së djathtës bashkëkohore, si liria, njeriu, prona, familja, besimi, tregu dhe sipërmarrja e lirë, autonomia vendore, meritokracia, barazia para ligjit, çështja kombëtare dhe Euro-Atlantizmi.
Ish-kryetari i PD-së Kukës, Ibsen Elezi dorëzoi gjithashtu sot zyrtarisht kandidaturën për postin e kryetarit të PD-së në zgjedhjet e 13 qershorit. Ai u shpreh se nuk ka parë asnjë kandidat me pikëpamje konservatore, ndaj vendosi të kandidojë vet. Elezi tha se PD nuk duhet të japi shembullin e deforminit të procesit zgjedhor dhe vota të konsiderohet e paprekshme.
“Ekzaktësisht kam thënë se nëse do të shihja një kandidat tipik të djathtë me ide konservatore unë do ta ndiqja. Derisa nuk pashë një kandidat tipik me pikëpamje konservatore, vendosa të kandidoj vetë. Ishe dhe diskutim grupi, nuk ishte vetëm çështje personale, në grup nuk kishte vetëm një zgjidhje personale, por referuar normave bazike të demokracisë ose parimeve themelore që i ka dhe statuti, neni 10 ia jep këtë të drejtë çdokujt. Kjo ka qenë arsye që unë gjatë gjithë kësaj periudhe parazgjedhore, i jam drejtuar çdo demokrati dhe intelektuali brenda PD-së që të marr kurajon të kandidojë. Nëse sot jemi në një betejë me Edi Ramën që ka arritur të deformojë gjithë sistemin zgjedhor për rrjedhojë dhe votën, nuk besoj se këtë shembull duhet ta japim ne brenda PD-së. Dhe ju them të gjithëve, nëse dhe një rast i vetëm do ndodhë, do të ulë imazhin dhe misionin e PD-së për të bërë ndryshimin e madh në këtë vend”.
Ditën e djeshme, Fatbardh Kadilli dorëzoi kërkesën për kandidim për kreun e Partisë Demokratike. Ai u shpreh se PD ka nevojë për një kthesë dhe shton se ka ardhur në këtë garë duke u ballafaquar me vlerat për ti shërbyer PD, jo për tu shërbyer nga PD.
“Jam njeriu që e mbaj fjalën, jam njeriu që kam kontribuuar me pastërti, nuk kam tradhtuar kurrë PD dhe nuk kam për ta tradhtuar kurrë askënd në PD”, tha Kadilli.
Kandidati tjetër është Agron Shehaj, i cili e konfirmoi lajmin përmes një postimi në “Facebook”, ku u shpreh se për të kapërcyer gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet Partia Demokratike, i duhet energji e re, vizion i ri, drejtim i ri. Shehaj shtoi se po kandidon për të bërë një parti të vërtetë demokratike, moderne, të hapur dhe se nuk do zhgënjej askënd.
Ndërkohë, Lisandër Hoxha, ka dhënë lajmin e dorëheqjes për kandidaturë dhe shprehet se e gjithë është një farsë.
“Sot aty nuk ka garë sepse rezultati i përfundimit të saj është parashkruar dhe nuk ka asnje mundësi që përballja të jetë reale”, shprehet Hoxha.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.