
Policia gjatë aksionit për lirimin e bregdetit
TIRANË– Ditën e sotme ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike në të gjitha zonat bregdetare.
Si rezultat i kontrolleve në Durrës nga Përroi Agait në drejtim të vendit të quajtur “Plepa”, janë evidentuar 7 parcela pa leje ku janë hequr rreth 290 shezlongë dhe rreth 141 çadra. Gjithashtu në plazhin e Golemit janë janë evidentuar 11 parcela pa leje ku janë hequr rreth 550 shezlongë dhe rreth 280 çadra.
Kjo situatë në Durrës ka sjellë pakënaqësi tek pushuesit. Një pushuese e cila ndërroi shezlongun e saj pasi pronari nuk kishte marrë leje për vendosjen e tyre, u shpreh se duhet të ishin lajmëruar më përpara.
“O zotëri më fal, po ne jemi me fëmijë të vegjël, një ditë para duhej të lajmëroheshim. Tani e rregullt është, duhet të bëjnë pagesat edhe këta, por ne duhej të lajmëroheshim”, tha ajo.
Ndërkohë në Velipojë ka ndodhur një konflikt mes policisë dhe pronares së një hoteli. Ajo ankohet pasi ka marrë leje për parcelën përpara hotelit të saj, por ambjentin për vendosjen e shezlongëve e kishte zënë një biznes tjetër.
Debati i plotë:
Pronarja: Kam marrë leje, kam paguar dhe nuk kam ku të vendos shezlongët pasi nuk më dalim metrat, para hotelit tim kam biznes tjetër. Tani a zgjidhni ju.
Policia: Kush jua ka zënë
Pronarja: këtë zgjidheni ju. Kemi aplikuar me parcela, i kemi këtu, kam marrë lejen dhe i ka aplikanti tjetër aktualisht.
Policia: Do të zgjidhet dhe do e masim me metër ne dore dhe çdo pjesë që ju takon do e merrni.
Pas lirimit të një parcele pa leje, policia i sygjeron të marrë atë hapësirë, por pronarja nuk pranon pasi parcela është larg vendodhjes së hotelit të saj.
Pronarja: Unë nuk jam e marrme të hy para biznesit tjetër e dua para hotelit tim, këtë zgjidheni ju
Policia: Ta liruam hapësirën që ke marrë leje, ja ku e ke.
Pronarja: Unë jam qytetare amerikane mos më ngri zëri se të sjell ambasadën këtu. Si mund të ma sjellësh mua këtu në fund. Mua nuk me vjen klienti këtu. Gjeje hapësirën para biznesit tem, nuk më vjen mua klienti këtu.
Policia: Atë zgjidhe me institucion që të ka dhënë lejen dhe hartën dixhitale
Po ashtu edhe në Vlorë aksioni po zhvillohet në Orikum, Zvërnec e Plazhin e Vjetër, ku policia ka nisur verifikimin e dokumentacionit të subjekteve, ndërsa në Fier aksioni ka nisur në bregdetin e Semanit dhe Darëzezës.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.