
Pas shpalljes “non grata”, Berisha depoziton në Gjykatë, padinë ndaj sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken
TIRANË– Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka paditur për shpifje sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken, pas vendimit për shpalljen e tij “non grata” nga SHBA.
Lajmin ai e bëri të ditur gjatë një konference për mediat ditën e sotme, ku konfirmoi se avokati i tij ka dorëzuar padinë në Gjykatën e Parisit.
“Këtë konferencë e kam thirrur për të njoftuar qytetarët se avokati im, Jean-Yves Le Borgne ka dorëzuar padinë time për shpifje në Gjykatën e Parisit. Siç ju kam njoftuar se pas vendimit të sekretarit të shtetit Bliken për të më shpallur “non grada” mua dhe familjen time bazuar në shpifje, nga lobimi i Ramë dhe Soros, unë autorizova avokatin tim në Francë të ngrejë padi për shpifje. Javën që kaloi avokati ka dorëzuar padinë”, u shpreh ai.
Ish-kryeministri u shpreh se vendimi është marrë në bazë të shpifjeve dhe kërkon transparencë.
“Nuk e kisha imagjinuar që unë do të detyrohesha të ngre padi ndaj sekretarit të shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të një vendi që unë e admiroj kaq shumë. Me këtë padi unë kërkoj të mbroj dinjitetin tim, të familjes time dhe të gjithë shqiptarëve. Me këtë padi kërkoj të bëj transparencë të plotë përpara shqiptarëve. Unë kam ngritur padi kundër shpifjeve mbi të cilat bazohet ky vendim”, tha ndër të tjera Berisha.
Kujtojmë që në maj, Berisha u shpall “non grata” nga SHBA. Vendimi u njoftua nga sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ndërsa në njoftimin e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit thuhej se Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, “duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.