Përgjigjjet për pyetjet më të shpeshta mbi fletën e votimit

Koha e leximit2 minuta, 14 sekonta

TIRANË– Qytetarët gjithmonë kanë pyetje mbi fletën e votimit, ndaj sot Kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka ndarë përgjigjet për këto pyetje.

Celibashi ka sqaruar se do të votohet me një fletë votimi në të cilën janë të shënuara emrat e subjekteve dhe numrat e kandidatëve.

Votimi do të bëhet duke shënuar me X ose + emrin që dëshironi dhe se shënimet e tjera e nxjerrin fletën të pavlefshme.

Mënyrat e votimit janë tre, për një parti pa kandidat, për një parti dhe një kandidat dhe vetëm një kandidat.

Statusi i plotë i Ilirjan Celibashit

PYETJE/PËRGJIGJE TË SHPESHTA PËR FLETËN E VOTIMIT
1) Me sa fletë votimi do të votohet në zgjedhjet e datës 25 prill 2021?
Në këto zgjedhje do të votohet vetëm me një fletë votimit.

2) Çfarë përmban fleta e votimit?
Në fletën e votimit janë të shënuara emrat e subjekteve zgjedhore (parti politike, koalicione ose kandidatë të pavarur), dhe në secilin rresht ku është shënuar emri i subjektit zgjedhor janë të shënuar në vazhdim numrat e kandidatëve të atij subjekti sipas renditjes në listën e dorëzuar në KQZ.

3) Si duhet të plotësohet fleta e votimit që ajo të jetë e vlefshme?
Në kuadratin e bardhë përbri logos së subjektit zgjedhor (parti/koalicion), ose sipas rastit kur zgjedh edhe kandidatin, duhet të vendosësh shënjën X, ose +. Çdo shënim tjetër mundet ta bëj ta pavlefshme fletën e votimit.

4) Si duhet të votoj që vota ime të jetë e vlefshme?
Ti mundet të votosh vetëm në një nga tre mënyrat:
a. Ti mund të votosh vetëm subjektin zgjedhor (parti/koalicion) dhe të mos votosh për asnjë nga kandidatët e atij subjekti zgjedhor. Në këtë rast vota i shkon listës së kandidatëve në tërësi sipas renditjes që ka paraqitur subjekti zgjedhor;
b. Ti mund të votosh për subjektin zgjedhor dhe gjithashtu mund të votosh vetëm njërin nga kandidatët e atij subjekti. Në këtë rast vota i shkon subjektit zgjedhor. Është gjithashtu votë edhe për kandidatin e atij subjekti;
c. Ti mund të votosh vetëm për një kandidat (duke shënuar X ose + vetëm në kutinë që i korrespondon numrit të kandidatit të preferuar), pa votuar subjektin zgjedhor të cilit i përket ai kandidat. Në këtë rast vota shkon për kandidatin, por shkon edhe për subjektin të cilit i përket kandidati.

5) A mund të votoj për një subjekt zgjedhor dhe për kandidatin e një subjekti tjetër?
Jo, nuk mundesh.

6) A mund të votoj për dy subjekte zgjedhore?
Jo, nuk mundesh.

7) A mund të votoj për dy kandidatë të të njëjtit subjekt zgjedhor?
Jo, nuk mundesh.

8) A mund të votoj dy kandidatë të dy subjekteve të ndryshëm?
Jo, nuk mundesh.

/Zoguu.al/

Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Previous post “Dua një fëmijë të dytë”, Loredana dëshiron zgjerimin e familjes
Next post Yuri Kim ndan thirrjen e peshkopëve katolikë: Kush shet votën ka shitur dinjitetin e vet dhe atë të familjes