
Ilustrim
TIRANË– Ditën e sotme pritet të vijnë në vendin tonë grupi i parë prej 300 afganësh, të cilët janë larguar nga vendi i tyre pas marrjes së pushtetit nga talebanët.
Në aeroportin e Rinasit janë ngritur tendat ushtarake, ku do të jenë prezent stafi mjekësor, forcat ushtarake dhe psikologë për të kontrolluar afganët për gjendjen e tyre shëndetësore dhe psikologjike.
Më pas do të bëhet identifikimi i tyre për t’u regjistruar më pas edhe në sistemin TIMS. Disa prej tyre do të qëndrojnë në konviktet e Qytet Studentit në Tiranë dhe disa të tjerë do të transportohen me autobusë nën shoqërinë e Forcave të Rendit dhe të Ushtrisë në hotelet e Durrësit.
Pasi të jenë akomoduar, atyre do tu bëhet tamponi dhe në rast se ndonjëri prej tyre rezulton i prekur me COVID-19, do të karantinohet.
Ditën e djeshme studentëve u është kërkuar të largohen nga godina nr.2 dhe nr.4 e konviktit, për të paktën 3 javë.
Nderkohë, kryebashkiaku Erion Veliaj bëri me dije se në tetor, të gjitha godinat në Qytet Studenti do të jenë në dispozicion të studentëve. Sipas tij, afganët do të transportohen më pas në hotelet në bregdet, që do të janë liruar edhe nga fluksi i turistëve.
Të paktën 2 mijë afganë do të strehohen përkohësisht mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut
Qytetarët afganë që do të strehohen në vendin tonë kanë punuar gjatë këtyre viteve me SHBA-në dhe NATO, si dhe aktivistë dhe mendohet se do të jenë shënjestra e hakmarrjes talebane, pasi këta të fundit morën pushtetin, prandaj largimi i tyre është parë si emergjente.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.