Puno me ne

Dërgo punimin tënd

Zoguu.al është vazhdimisht në mbështetje të talenteve të reja të cilët kanë pasion shkrimin, aktualitetin, investigimet, analizat, etj. Në kuadër të këtij procesi ftojmë të gjithë këta persona të dërgojnë punimin e tyre në adresën e e-mail-it zoguual@zoguu.al. Faleminderit!

July 30, 2021

Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve: Vaksinat e Pfizerit dhe Modernës mund të shkaktojnë miokardi

2 min read

Foto ilustruese

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) njoftuan të mërkurën se ekziston një lidhje e mundshme mes dy vaksinave kundër COVID-19-s dhe një efekti të rrallë anësor në zemër që përjetojnë meshkujt, kryesisht ata në moshë të re.

Agjencia federale e shëndetit publik tha se më shumë se 1,200 persona që kanë marrë vaksinën e Pfizerit apo Modernës zhvilluan miokardi, apo inflamacion të muskujve të zemrës. Efektet ishin më të spikatura tek meshkujt sesa femrat dhe ato u vunë re më shumë pas marrjes së dozës së dytë.

CDC-ja tha se efektet anësore, të cilat përfshijnë lodhje dhe dhimbje gjoksi, kanë qenë të lehta dhe se shumica dërrmuese e atyre që u diagnostikuan me miokardi janë shëruar plotësisht. Agjencia arriti në përfundimin se pavarësisht një “lidhjeje të mundshme” mes dy vaksinave dhe miokardisë, përfitimet nga marrja e vaksinave janë shumë më të mëdha se rreziqet.

Të dyja vaksinat, si ajo e Pfizerit dhe ajo e Modernës, që merren me dy doza, janë prodhuar me një metodë që shfrytëzon acidin ribonukleik (ARN).

Një zyrtar i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave tha se pas njoftimit të rezultateve, agjencia rregullatore do të shtonte një paralajmërim për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe ata që vaksinohen mbi rrezikun e mundshëm për efekte anësore.

Ndërkohë të enjten Shtëpia e Bardhë do të dërgojë në Brazil 3 milionë doza të vaksinës kundër të COVID-it të kompanisë Johnson & Johnson, e cila merret me një dozë të vetme. Dërgesa, e cila do të mbërrijë në qytetin Campinas pranë San Paulos, është pjesë e zotimit të Presidentit Joe Biden për t’u dhuruar 80 milionë doza, vendeve të tjera deri në fund të muajit.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se “ekipet shkencore dhe autoritetet ligjore e rregullatore” të të dy vendeve bashkëpunuan për arritjen e një marrëveshjeje mbi këtë çështje.

Prej fillimit të pandemisë në Brazil janë shënuar mbi 507 mijë të vdekur si pasojë e COVID-19-s, duke e renditur të dytin në botë për nga numri i personave që kanë humbur jetën, pas Shteteve të Bashkuara, që ka regjistruar mbi 602 mijë vdekje.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e zeriamerikes.com

/Zoguu.al/