Qindra vdekje shtesë nuk shpjegohen dot nga COVID-19

Koha e leximit2 minuta, 47 sekonta

Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, në Shqipëri u regjistruan mbi 3,400 vdekje më shumë se sa mesatarja katërvjeçare e të njëjtës periudhë 2017-2020, një e treta nuk justifikohen nga COVID-19.

Shqipëria shënoi 9,657 vdekje gjatë tremujorit të parë të këtij viti, me një rritje 35% në krahasim me mesataren e tremujorëve të parë të katër viteve të fundit, si dhe rreth 1400 vdekje më shumë nga sa mund të argumentohen me shifrat zyrtare të viktimave të pandemisë së koronavirusit të ri. Mospërputhja e statistikave sugjeron se raportimet zyrtare mbi viktimat e pandemisë mund të mos pasqyrojnë realitetin. Mospërputhja mes shkallës së vdekshmërisë së raportuar në zyrat e gjendjes civile dhe deklarimeve të përditshme të Ministrisë së Shëndetësisë është gjithsesi shumë më e ulët se sa në tremujorin e katërt të vitit 2020.

Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se 1810 shqiptarë humbën jetën nga problemet e shkaktuara nga COVID-19 nga 1 janari deri më 31 mars të këtij viti. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në të njëjtën periudhë tremujore gjatë viteve 2017-2020 kanë vdekur mesatarisht 6,414 vetë ndërkohë që në tremujorin e parë 2021 vdiqën 9657 vetë. Diferenca prej 3243 vdekjesh më shumë në këtë tremujor mund të shpjegohet pjesërisht nga vdekjet e identifikuara si të tilla nga Ministria e Shëndetësisë ndërsa një pjesë e tyre, ose rreth 1,400, nuk shpjegohen dot.

Në tremujorin e katërt të vitit 2020, kur pandemia COVID-19 ishte në kulmin e saj, në Shqipëri pati 9397 vdekje ndërkohë që mesatarja katërvjeçare e atij tremujori ishte rreth 5,500, me një rritje prej gati 4 mijë vdekje më shumë. Gjatë periudhës tetor-dhjetor 2020, zyrtarisht në Shqipëri humbën jetën nga COVID 749 pacientë.

Saktësia e raportimit të vdekjeve të shkaktuara nga pandemia është një problem me të cilin janë përballur shumë vende të botës, disa prej të cilave kanë ngritur grupe studimore për të kryer rivlerësime, masë kjo e domosdoshme për të mbajtur pandeminë nën kontroll. Qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë ndonjë iniciativë të tillë dhe as nuk pranon të diskutojë se çfarë e ka shkaktuar rritjen e numrit të vdekjeve në vend.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritja e numrit të vdekjeve ka përfshirë të gjitha qarqet e vendit por ajo është më e dukshme në qarqet Tiranë, (78%), Fier (63%) dhe Durrës (61%). Rritja e vdekshmërisë duket se përkon me qarqet që gjatë tremujorit të parë të këtij viti kanë pasur edhe një ngarkesë më të lartë me të sëmurë me COVID-19. Në Tiranë më 31 mars kishte 22 mijë të sëmurë të njohur nga autoriteti shëndetësor, pasuar nga Fieri me 2586 vetë dhe Durrësi me 1297 vetë. Përkundër kësaj, qarqet Dibër e Berat, të cilat gjatë kësaj periudhe kishin relativisht pak të sëmurë me COVID-19, shënuan rritje më të vogël të numrit të vdekjeve (respektivisht 35 dhe 42%).

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e reporter.al

/Zoguu.al/

Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Previous post Turi lotsjellës i Lulzim Bashës si maskë për të fshehur mungesën e ideve
Next post Historiku/ Ja me cilët kundërshtarë është përballur më shumë herë Shqipëria