
KAMËZ- Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Ogerta Manastirliu dhanë sot lajmin; javën e ardhshme do të fillojë vaksinimi masiv.
Nga Kamza ku kryeminstri dhe ministrja ishin për të ndjekur nga afër vaksinimin e mësueseve, kryeministri është shprehur se vaksinimi masiv tek të moshuarit është objektivi kryesor i gjithë punës që është bërë.
“E kam në majë të gjuhës, por do ta mbaj edhe pak fare, për gjyshërit dhe gjyshet, të cilat janë pika e dobët e çdo familje nga pikëpamja e dashurisë dhe përkujdesit, por edhe nga pikëpamja e shëndetit janë pika e dobët. Fillimi i vaksinimit masiv për gjyshërit dhe gjyshet është fiksimi, ambicia dhe gjithë qëllimi i vajtjes time në punë gjatë gjithë kësaj periudhe, me ndihmën e Zotit, të miqve dhe këmbënguljen tonë, besoj që lajmi i mirë do të dalë nga goja më në fund, edhe pak fare”.
Më tej Manastirliu ka deklaruar se sot ka përfunduar dhe marrëveshja për vaksinat kineze.
“Sot finalizojmë edhe aktin normative për vaksinat, të cilat jemi duke I blerë nëpërmjet distributorit të autorizuar dhe besoj që javën që vjen fillojmë vaksinimin masiv.”
Ndërkohë në vendin tonë që nga fillimi i fushatës së vaksinimit janë kryer 52,050 doza të vaksinës kundër COVID–19.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.