
Edi Rama
TIRANË– Kryeministri Rama ka zhvilluar ceremoninë falenderuese për menaxhimin e situatave me zjarrin në vend, ku njoftoi rritjen e pagave për anëtarët e Mbrojtjes Civile dhe efektivëve të FA.
Ai tha se zjarrvënësit kanë vrarë shpirtin e atdheut, plagosur trupin e tij dhe kanë shkatërruar mundimet, djersën dhe përkushtimin e shumë gjeneratave, ndaj duhet të marrin dënimin maksimal, të kalben në burgje dhe të bëhen shembull për të tjerët.
Rama falenderoi dhe shprehu mirënjohje për ata që kontribuan në shuarjen e zjarreve, ndërsa shprehu keqardhje dhe ngushëllim për familjet që humbën anëtarët nga flakët.
“Ne do të bëjmë atë që duhet për të rritur edhe pagën, që nuk do të jetë asnjëherë e mjaftueshme, sepse nuk është e mjaftueshme askund, kur cilido që i përket këtyre trupave përballet me një sfidë që kërcënon jetën e tij, por si gjithmonë një motiv më shumë, jo vetëm për të çuar në shtëpi më shumë të ardhura të merituara nga puna, por për të ndjerë vlerësimin për punën që bën. Nuk dua të zgjatem më tutje, por s’rri pa theksuar aspektin kriminal të gjithë këtyre vatrave të zjarrit, të cilat në një pjesë të madhe janë rezultat i rritjes dramatike të temperaturave kudo në botë, por në një pjesë të konsiderueshme janë rezultat i barbarisë të atyre që me një shkrepëse, një shishe benzinë, vrasin shpirtin e atdheut, plagosin trupin e atdheut dhe hedhin në erë mundimet, djersën, përkushtimin e shumë gjeneratave duke privuar nga qoftë edhe një qelizë e mushkërive të gjelbërta të këtij vendi, fëmijët e këtij vendi. Më vjen mirë që Policia e Shtetit ka arritur të çojë prapa hekurave një numër jo të vogël barbarësh, që nuk meritojnë të jenë të lirë mes qytetarëve të lirë të këtij vendi, meritojnë të kalben prapa hekurave. Shpresoj që gjykatat të japin vendimet e duhura dhe shpresoj që gjykatësit të jenë në lartësitë e dhimbjes për kaq shumë vlera natyrore të dëmtuara dhe aq shumë pemë, burime jete të shkatërruara.
Këto nuk janë pasuria e askujt individualisht, ata janë pasuria jonë, thesari që ne duam t’ia trashëgojmë fëmijëve tanë, edhe gjykatësit. Këta kriminel barbarë, jo vetëm të kalben në burg, por të shërbejnë për t’i dhënë një mesazh të qartë. Është e patolerueshme që ndryshimet e klimës në vetvete përbën potencial të lartë për zjarre, dora e njeriut të shtojë nga vetja, për të vënë para një sfide marramendëse të gjithë këta prindër, për të vënë përpara kësaj sfide të gjithë këta bij e bija të këtij vendi, e për të ndezur zjarre që shkojnë deri aty që marrin jetë. Për fat të mirë, falë trupave janë shpëtuar jetë. Një tragjedi si ajo që përmendëm me humbjen e dy prindërve është shumë e madhe. Parafytyrimi që mund të kishin qenë shumë më tepër sesa kaq, e bën revoltën shumë më të madhe. Fjala ime e fundit është pa harruar edhe disa, jo të gjitha, disa nga autoritetet vendore u ka shkëlqyer me përkushtimin dhe me gatishmërinë e tij Perfekti i Vlorë, por jo vetëm. Të gjithë duhet të ndihen sot krenarë për atë që kanë bërë. Unë ndihem i përulur për faktin që ne na takon të bëjmë më tepër për të gjithë ju”, tha Rama.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.