
Rama qëndrim të ashpër ndaj BE-së: Dështoi të mbajë premtimet, por jeta vazhdon
SHKUP– Kryeministri Edi Rama zhvilloi ditën e sotme një konferencë të përbashkët me homologun maqedonas, Zoran Zaev.
Rama mbajti një qëndrimtë ashpër ndaj BE-së një ditë pas dështimit për hapjen e negociatave. “Bashkimi Europian ka dështuar të mbajë premtimin dhe të jetë në qëndrimin e duhur”, u shpreh Rama teksa shtoi se jeta vazhdon dhe progresi do të vazhdojë me të gjitha forcat sepse nuk është i imponuar nga jashtë por nga brenda nesh.
Rama gjithashtu tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një objektiv “Shkrirja e kufijve mes nesh për ta kthyer rajonin tonë në hapësirën tonë të zbatimit të plotë të 4 lirive të BE-së, lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve do të vazhdojë pa u ndaluar”.
“Cfarë do ndodh apo nuk ndodh në Bruksel ne jemi shumë të vendosur që të vazhdojmë të rrisim ekonominë, mirëqenien, krenarinë dhe forcën e dinjitetit të popullit tonë. BE mund të caktojë detyra për integrimin, mund të caktojë afate për këto detyra, mund të caktojë data.
Por BE nuk cakton dot, as vendndodhjen tonë në mes të Europës, as kulturën tonë dhe identitetin tonë europian, as të ardhmen e popujve tanë si popuj europianë në familjen europiane, shtete europiane, me standarde politike, institucionale, ekonomike europiane. Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj, që në kohën e Gjergj Kastriotit dhe e ka rikonfirmuar zgjedhjen e saj, që në epokën e Rilindjes Kombëtare. Për shqiptarët dielli lind aty ku perëndon.
Për mua në këtë pikë, kemi një dallim me Zoranin, jo problematik, pasi nuk ka ndodhur asgjë tjetër, veçse BE ka dështuar përsëri të mbajë premtimin, të jetë në qëndrimin e duhur, jeta vazhdon. Progresi do të vazhdojë me të gjitha forcat, pasi nuk është i imponuar nga jashtë, por nga brenda nesh” tha Rama.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.