
Artan Hoxha
TIRANË– Përgjatë gjithë këtij viti akademik, studentët kanë kërkuar të zhvillojnë mësimin në auditore, por tashmë ata kanë shprehur kërkesat e tyre për të mos i zhvilluar provimet në auditore, por online.
Rektori i Universitetit të Tiranës ka thënë se kërkesa e tyre është marrë në konsideratë dhe pjesa më e madhe e provimeve do të zhvillohet online, me përjashtim të disa lëndëve specifike.
“Studentët kërkojnë që të përfundojnë edhe provimet online. Parimisht provimet në tërësi do zhvillohen online, kurse ato programe që kanë specifikë do kenë mundësi që t’i zvhvillojnë provimet në auditorë.”
Ai u shpreh se Fakulteti i Drejtësisë do të nisë sezonin e provimeve pas datës 20 maj, ndërsa fakultetet e tjera do fillojnë gjatë qershorit.
“Më i afërti është fakulteti i Drejtësisë, pas datës 20 të këtij muaji. Pastaj në qershor janë kryesisht provimet në fakultetet e tjera.”
Ndërkohë tek Fakulteti i Gjuhëve të Huaja është bërë prezantimi i dekanes së re, e cila do të zëvendësojë dekanin Artur Sula, viktimë e koronavirusit. Ajo është shprehur se do të ketë lehtësime për shkak të situatës dhe vështirësive të hasura.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.