
Pamje gjate shembjes
TIRANË– Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Policia e Shtetit, kanë rinisur sot operacionin “Bregdeti Ynë” për shembjen e objekteve pa leje.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, njoftoi se si fillim do të shemben dy objekte në Dhërmi, e më pas objektet e ndërtuara pa leje në zonat e tjera bregdetare.
Ai paralajmëroi që nuk do të lejohen me zaptimet e tokave të lira dhe ndërtimi i objekteve pa leje.
“Rifillojmë sot operacionin “Bregdeti Ynë” për shembjen e objekteve pa leje apo në tejkalim flagrant të lejes së ndërtimit. Ndërprerja ishte e përkohshme për të mos penguar sezonin turistik. Si fillim do të shemben dy objekte në Dhërmi për të vijuar më pas në të gjithë vijën bregdetare dhe në çdo zonë tjetër të Shqipërisë ku është ndërtuar pa leje.
E kam thënë edhe më herët dhe po e përsëris, ky nuk është thjesht dhe vetëm një aksion, por një punë e vazhdueshme e IKMT-së dhe Policisë së Shtetit për kontrollin e çdo metër katror të territorit. Gjej shesh të lirë, zapto e ndërto pa leje, të mos e mendojë më askush”, tha Çuçi.
Kujtojmë që faza e parë e operacionit “Bregdeti Ynë” nisi në muajin qershor, por u ndërpre për shkak të nisjes së sezonit turistik. Gjatë fazës së parë u shembën mbi 130 ndërtime pa leje, u vendosën rreth 132 milionë lekë gjoba për 86 subjekte, si dhe u arrestuan e u ndoqën penalisht dhjetëra persona.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.