
Sa taksë do të paguhet për rrogat nga janari 2022? Përgjigjet Rama
TIRANË- Të gjitha të punësuarit do të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat deri në fashën e 40 mijë lekëve.
Kryeministri Edi Rama në prezantimin e programit elektoral për ekonominë tha se duke nisur nga 1 janari 2022 pritet që të gjithë të punësuarit me paga deri në 40 mijë lekë të mos paguajnë tatimin mbi të ardhurat. Aktualisht me taksën progresive rrogat deri në 30 mijë lekë nuk tatohen. Pagat mbi 30 mijë lekë deri në 150 mijë lekë tatohen 13% e shumës mbi 30 mijë lekë. Nga rritja e pragut të pataksueshëm, sipas kryeministrit Rama do të përfitojnë 63% e të punësuarve në Shqipëri.
“Nga 1 janari i vitit 2022 në do ta heqim taksën mbi pagën aktuale deri në 40 mijë lekë për sektorin publik dhe privat. Ky është planifikim financiar jo elektoral dhe kjo do të thotë që duke nisur nga viti i ardhshëm 63% e të punësuarve në Shqipëri, që sot marrin nga 30 mijë minimale deri në 40 mijë lekë nuk do të kenë taksë mbi pagën”, tha Rama.
Një tjetër masë e qeverisë që pritet të hyjë në fuqi nga1 janari 2022 është edhe ulja e tatimit mbi të ardhurat për pagat mbi 150 mijë lekë. Aktualisht janë rreth 13,647 punonjës me pagë mbi 150 mijë lekë që taksohen 23%. Rama tha se do të taksohen me 23% kush paguhet mbi 250 mijë lekë në muaj.
“Ne e dimë shume mirë që ka një kategori më të lartë të të punësuarish që marrin mbi 150 mijë lekë në muaj dhe hyjnë në taksim progresiv 23% taksë mbi pagën. Ne do ta shtyjmë më lart këtë taksë dhe do ta ulin tatim fitimin për të gjithë ata që marrin deri në 250 mijë lekë në muaj. Një masë e kërkuar nga një kategori punonjësish, por që tani më është e mundur më parë nuk ishte e mundur dhe kjo masë do të hyjnë në fuqi në 1 janar 2022.”/Monitor
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.