
“SHBA nuk mbështet ndonjë kandidat apo parti”/ Abasadorja Yuri Kim sqaron deklaratën
TIRANË– Ambasadorja Amerikane Yuri Kim ka sqaruar me anë të një postimi në rrjetin social “Twitter”, deklaratën e dhënë ditën e djeshme lidhur me zgjedhjet në Shqipëri, e cila është keqkuptuar.
Ajo shprehet se nuk ka mbështetur asnjë kandidat apo parti në vecanti, por vetëm të drejtën e qytetarëve për të shprehur vullnetin e tyre përmes votës.
Gjithashtu thekson se Amerika i ka paralajmëruar të gjithë ata që do të ndikojnë në proces duke blerë vota, apo në forma të tjera duke frikësuar votuesit.
“Kjo NUK është ajo që thashë/mendoja. Ja çfarë thashë: SHBA NUK mbështet ndonjë kandidat apo parti të veçantë. SHBA mbështet të drejtën e qytetarëve për të shprehur vullnetin e tyre përmes votës së tyre. SHBA paralajmëron ata që e mohojnë këtë të drejtë duke blerë vota ose duke frikësuar votuesit,”-shkruan Kim.
Kim e ka shoqëruar sqarimin e saj me videon e analistit Artur Zhei, i cili kur ishte i ftuar në emisionin “Pikat mbi i”, tha se ambasadorja i ngjasonte me një kryeopozitare që fliste shumë mirë gjuhën angleze.
“Mu duk sikur po fliste një kryeopozitar me anglishte perfekte. Ajo tha që shëtis në Shqipëri dhe takoj njerëz që iu ka ardhur në majë të hundës. E dyta foli për kriminelët në Kuvend,”-tha Zhei.
I gjithë keqkuptimi ka ndodhur për shkak se ambasadorja është shprehur se shqiptarët janë mërzitur nga gjendja aktuale dhe 25 prilli është momenti kur ata duhet të tregojnë se janë kundër kriminelëve dhe të votojnë për ndryshimin.
“Shqiptarët që takoj kudo në vend më thonë se iu ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni; iu ka ardhur në majë të hundës nga pandëshkueshmëria; iu ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët që ulen në parlament. Epo, ky është momenti. Ma tregoni me veprime, tregojeni me veprimet tuaja se e keni seriozisht. Nuk mund të ndodhë që më kërkoni opinionin tim si Shtetet e Bashkuara, unë jua jap dhe pastaj ju vazhdoni të bëni të njëjtën gjë. Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshim. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Por ajo që bëni duhet të përputhet me atë që thoni se doni. Dhe 25 prilli është momenti,”-tha Kim.
Kjo gjë është kuptuar sikur me anë të këtyre fjalëve, Ambasadorja Kim ka dashur te thote që votat mos të jepen për Partinë Socialiste, pasi fraza “votoni për ndryshim” përkon me sloganin e PD-së për zgjedhjet parlamentare.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.