Sistemi i drejtësisë në vend, Yuri Kim: Funksional, por jo në majë të performancës

Koha e leximit4 minuta, 39 sekonta

TIRANË– Krerët e institucioneve, Ambasadorja Yuri Kim, Gent Ibrahimi (KLP), Arben Kraja (SPAK), kryeprokurori, Olsian Çela, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët lidhur me sistemin e drejtësisë në vend.

Ambasadorja Yuri Kim tha se për të luftuar korrupsionin duhet një punë e përbashkët dhe bashkëpunim mes institucioneve. Ajo u shpreh se sistemi i drejtësisë është funksional, por jo në majë të performancës, ndaj u bëri thirrje prokurorëve të dyfishojnë luftën kundër korrupsionit. Kim përmendi dhe urdhrin e Biden për shpalljen “non grata” të personave të korruptuar.

Kënaqësi që jam këtu, duke ju përgëzuar juve dhe të gjithë prokurorëve që janë duke punuar për popullin shqiptar. Ky është moment i rëndësishëm dhe të gjithë i kanë parë lajmet. Ajo që jemi duke parë është rezultat i një pune të gjatë, të vështirë. Orë të tëra duke kaluar dhe duke parë faktet sipas rastit.  Ju e dini, që ndjekja penale në luftën kundër krimit, nuk varet nga puna e vetëm një institucioni, fokusi ynë është punë e përbashkët dhe bashkëpunimi i këtyre institucioneve. Veprimet që kemi dëshmuar në javët, madje në vitin e fundit, që kur institucionet janë ngritur, kanë filluar që të krijojnë besimin e publikut. Në fakt, ngritja e këtyre institucioneve ka qenë një hap themelor i reformës në Drejtësi, sistemi është funksional, por nuk është ende në majë të performancës, për shkak të mungesës së personelit, apo mungesës së publikut. Muajin e kaluar, Biden e bëri të qartë që SHBA e konsiderojnë korrupsionin kërcënim për sigurinë kombëtare, jo vetëm të SHBA, por edhe të aleatëve, prandaj zgjeroi urdhrin e tij. Ai ka identifikuar sjellje të tjera të dënueshme, dhe e ka bërë urdhrin ekzekutiv ndaj një game të gjerë të këtyre personave në Ballkanin perëndimor, duhet të nxisë prokurorinë që të luftojë korrupsionin. Ulja e numrit të prokurorëve për shkak të Vetting, theksojnë nevojën e përshtatjes së vazhdueshme, ju nxis që të punoni së bashku për të gjetur mënyra më të mira për t’i trajtuar ato, SHBA do ju mbështesë për të ndërtuar një Shqipëri më të sigurt, më të begatë”, tha Kim.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj bëri një krahasim të sistemit të mëparshëm të drejtësisë, ku u shpreh se tashmë vendi ka ligje të reja, njerëz të rinj, institucione të reja dhe një sistem të drejtësisë penale tërësisht të ndryshuar

“Tashmë dihet, reforma në drejtësi ishte një nevojë jetike jo vetëm për vetë sistemin e drejtësisë por edhe për funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, dhe kjo ishte edhe më e dukshme në sistemin e drejtësisë penale. Funksionimi i sistemit të mëparshëm të prokurorisë, si një sistem i centralizuar dhe hierarkik, pa asnjë sistem kontrolli, në Shqipëri kishte dështuar.  E bëra këtë panoramë të shkurtër të sistemit të kaluar, për të kuptuar që sot nuk kemi thjesht ligjet e reja dhe arkitekturën e re të sistemit të drejtësisë, nuk kemi vetëm institucionet e reja, dhe njerëz të rinj të zgjedhur me procese transparente dhe te pandikuara politikisht në krye të këtyre institucioneve por kemi një sistem të drejtësisë penale tërësisht të ndryshuar, në të cilën garantohen parimet dhe standartet e pavarësisë dhe paanësisë, transparencës dhe profesionalizmit.

Ajo tha se operacionet e SPAK për pastrimin e sistemit të prokurorisë, ishte një proces i nevojshëm që dha rezultate dhe do të mbështetet prej saj.

Kim përmendi arrestimin ditën e djeshme të keyebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe dhe tha se është momenti që prokurorët të tregojnë se ushtrojnë funksionin e tyre me përgjegjshmëri dhe në zbatim vetëm të ligjit.

Pavarësia e jashtme dhe e brendshme e prokurorit në ushtrimin e ndjekjes penale tashmë është e garantuar nga sistemi i ri, ashtu sic është garantuar emërimi, transferimi, promovimi meritokratik dhe transparent i tyre tashmë e pandikuar nga rregulli i vjetër i zbatimit ose jo i urdhërave të eprorëve. Por është momenti që prokurorët të tregojnë se ushtrojnë funksionin e tyre me përgjegjshmëri dhe në zbatim vetëm të ligjit. Procedimi disiplinor i prokurorëve si një proces tërësisht i pavarur, i pandikuar nga politika si në të kaluarën duhet të bëjë që sistemi të përmirësohet.

Ngritja dhe funksionimi i Këshillit të Lartë të prokurorisë, të SPAK-ut, të emërimit të Prokurorit të përgjithshëm, janë rezultate të cilat janë shumë të vlerësuara si një hap i jashtëzakonshëm, aspak i lehtë që janë bërë në drejtim të sistemit të ri penal.   Procesi i pastrimit të sistemit të prokurorisë ashtu si dhe gjyqësorit, ishte një proces mëse i nevojshëm i cili ka dhënë rezultate shumë të mira dhe që do të vijojë të mbështetet nga ne.  Tashmë kemi hyrë në një fazë tjetër, atë të konsolidimit të rezultateve të reformës në drejtësi dhe specifikisht të sistemit penal. Sapo kemi dizenjuar Strategjinë e re ndërsektoriale të zbatimit të reformës në drejtësi për fazën tjetër, për periudhën 2021 – 2025, e cila do të prezantohet sapo të miratohet.

Ministrja tha se vetëm nëpërmjet bashkëpunimit dhe ndërveprimit institucional, do të përmbushen pritshmëritë për një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe të efektshëm.

Institucionet janë ngritur, kanë hedhur bazat për funksionimin të tyre, kanë arritur prioritetet e nevojshme diku më shpejt diku më vonë– dicka më mirë, dicka më pak mirë,  – tashmë është momenti që secili të shoh brenda përgjegjësisë së tij dhe funksionit në bërjen sukses, në arritjen e rezultateve duke vendosur në themel standartet më të mira të drejtësisë së re.  Vetëm nëpërmjet bashkëpunimit dhe ndërveprimit institucional, ne mundet të çojmë para angazhimin që të gjithë kemi marrë përpara qytetarëve shqitarë dhe të përmbushim pritshmëritë për një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe të efektshëm”, tha Gjonaj.

/Zoguu.al/

Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Previous post FIER/ 66-vjeçari plagos kushëririn me armë gjahu për motive të dobëta
Next post KPK shkarkon nga detyra Gjyqtaren e Apelit të Tiranës, Zegjine Sollaku