
TIRANË– Finalizohet operacioni policor i koduar “Armatimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të armëve të zjarrit dhe të mbajtjes së tyre pa leje, ku u arrestuan 3 persona.
Në bazë të informacioneve të marra se disa persona po tentonin të trafikonin armë zjarri, policia arrestoi në flagrancë shtetasit Indrit Dumi 30 vjeç, Mario Çelmeta 30 vjeç dhe Fabion Dumi 27 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit në automjetin tip “Smart” me drejtues shtetasin Fabion Dumi dhe pasagjer shtetasin Mario Çelmeta, policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri mitraloz i lehtë, 2 automatikë, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, municion luftarak dhe 3 aparate celular.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Tiranë, për hetime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Armatimi”. Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të armëve të zjarrit dhe të mbajtjes së tyre pa leje. Vihen në pranga 3 persona që ushtronin këtë veprimtari kriminale. Sekuestrohen 1 armë zjarri mitraloz i lehtë, 2 automatikë, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, municion luftarak dhe 3 aparate celular. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve të zjarrit, si rezultat i informacioneve të mara në rrugë operative se disa shtetas po tentonin të trafikonin armë zjarri, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Armatimi” në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
I.D., 30 vjeç, M. Ç., 30 vjeç dhe F. D., 27 vjeç, të tre banues në Tiranë. Shërbimet e Policisë Kriminale të Komisariatit të Policisë Nr. 6 dhe të strukturave hetimore dhe operacionale të DVP Tiranë kishin grumbulluar informacione në rrugë operative se këta 3 shtetas merreshin me shitjen e armëve të zjarrit. Bazuar në këto prova, gjatë operacionit, në fshatin Vishnje, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i këtyre shtetasve. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Smart” me drejtues shtetasin F. D. dhe pasagjer shtetasin M. Ç., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale: 1 armë zjarri mitraloz të lehtë, 2 automatikë, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, municion luftarak, 3 aparate celular. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua dhe automjeti.
Shtetasi I. D. i priste 2 shtetasit e tjerë në vendin e takimit, në fshatin Vishnje, për të marrë armët dhe municionet. Vazhdon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtari kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Tiranë, për hetime të mëtejshme.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.