STUDIM- Pjesëmarrja e Personave me Aftësi të Kufizuar në zgjedhje, pjesë e zgjidhjes

Koha e leximit6 minuta, 0 sekonta

Personat me Aftësi të Kufizuar, sipas Censusit të vitit 2011, janë në total 173,600 persona, që në gjuhën e zgjedhjeve përkthehet me të paktën 7 mandate deputetësh.  Megjithë këtë numër të konsiderueshëm, ata përbëjnë një pjesë të elektoratit që prej vitesh kanë qenë thuasje të penguar nga pjesëmarrja në zgjedhje, si në ato vendore, ashtu edhe në ato parlamentare.  Personave me afteesi të kufizuara u ka munguar aksesi në facilitetet dhe materialet që duhet të jenë të përshtatshme, të aksesueshme, të thjeshta për t’u kuptuar dhe përdorur, gjë kjo që është e referuar në nenin 16 të ligjit nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”.

Personat me aftësi të kufizuar kanë një potencial të lartë elektorial, që së bashku me familjarët e tyre si mbështetës të mundshëm, së paku do të dyfishojnë numrin e mandateve që mund të fitohen vetëm nga votat e këtyre personave. Një llogaritje e thjeshtë dhe përfituese që mjafton për t’i dhënë avantazhin një subjekti politik, i cili orientohet kah këtij target grupi elektoral, duke e përfshirë atë në procesin zgjedhor, së pari duke e informuar në gjuhën që ai/ajo ka më të lehtë për të kuptuar (si braille, gjuha e shenjave). Së dyti, duke krijuar hapësirat fizike të përshtatshme për aksesin e këtyre personave (rampa). Së treti, duke i angazhuar konkretisht gjatë proceseve zgjedhore në role dhe funksione që ata mund t’i përmbushin, specifikisht si vëzhgues zgjedhjesh, regjistrues të votuesve, kandidatë për t’u zgjedhur, përfaqësues të komuniteti të tyre etj. Së katërti, duke ofruar programe politike që i shërbejnë këtyre votuesve, të cilat në thelb kanë fuqizimin ekonomiko-social të tyre. Këto programe mund të adresojnë aksesin e tyre në arsim, garantimin e aksesit në tregun e punës, pavarësinë ekonomike nga skemat e mbrojtes sociale, si edhe rritjen e aksesit ndaj shërbimeve të tjera publike, të cilat do të përmirësonin dukshëm integrimin e tyre në shoqëri dhe cilësinë e tyre të jetës.

E drejta e personave me aftësi të kufizuar për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, sikurse për gjithë të tjerët, është e mbrojtur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në Nenin 45 të saj. Po ashtu, e drejta për pjesëmarrje në proceset zgjedhore garantohet nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, specifikisht në Nenin 21 të saj ku theksohet se “gjithkush ka të drejtë të marrë pjesë në qeverisjen e vendit të tij, drejtëpërdrejtë ose me anë të përfaqësuesve të zgjedhur lirisht”. Megjithatë, sikurse shumë të drejta të tjera, veçanërisht kjo e drejtë ekziston vetëm në letër. Sipas OSBE-së personat me aftësi të kufizuara janë ende të nën-përfaqësuar në mënyrë të konsiderueshme në jetën politike dhe publike, veçanërisht si udhëheqës, kandidatë apo anëtarë të institucioneve, të tilla siç janë organet e menaxhimit/monitorimit të zgjedhjeve, qeveritë vendore/qendrore, partitë politike dhe parlamenti.

Është e vështirë të merret informacion për numrin e personave me aftësi të kufizuara që votojnë në zgjedhje, sepse nuk ka një regjistër të posaçëm që ruan këtë informacion. Nga ana tjetër, organizatat që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuara thonë se këta të fundit nuk marrin dot pjesë në zgjedhje për shkak të diskriminimit. Sipas tyre disa arsye penguese janë: mungesa e aksesit në informacionet për pjesëmarrjen në zgjedhje, mbështetje e pamjaftueshme për pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara në zgjedhje.  Mungesa e zhvillimit të diskutimeve të mjaftueshme me personat me aftësi të kufizuara. Këta persona duhet të jenë pjesë e konsultimeve periodike dhe duhen pyetur lidhur me nevojat që kanë dhe zgjidhet e mundshme, pasi vetëm nëpërmjet tyre mund të gjenden zgjidhje efektive.

A mund të zbatohet e drejta e pjesëmarrjes në zgjedhje për personat me aftësi të kufizuara, qoftë si zgjedhës apo të zgjedhur? Nëse po, si?  Çfarë mund të bëjnë subjektet politike për të përdorur potencialin e këtij grupi elektoral në periudhën para, gjatë dhe pas zgjedhore?

Zgjedhjet janë një mundësi e veçantë për të rritur pjesëmarrjen dhe për të ndryshuar perceptimin publik që është krijuar për personat me aftësi të kufizuar. Megjithatë, ndryshimi nuk mund të vijë vetëm nga përpjekjet e tyre, pa pasur mbështetjen nga institucionet shtetërore. Ndryshimet së pari duhet të krijojnë një mjedis pa barriera dhe të përshtatshëm për personat me aftësi të kufizuara. Me rëndësi të madhe është zbatimi i legjislacionit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara dhe nxitja e gjithëpërfshirjes. Sipas aktivistëve të të drejtave të këtyre personave, tri masa janë të domosdoshme: buxhetimi i legjislacionit të të drejtave të aftësisë së kufizuar; ngritja e strukturave vendore që do të përgjigjen për zbatimin e legjislacionit dhe monitorimin e zbatimit të tij; dhe ndëshkimi i atyre që shkelin ligjin.

Nga ana tjetër, PNUD-i rekomandon se politika mund të jetë pranë tyre duke organizuar fushata ndërgjegjësimi dhe duke përqendruar programet edukative në nivelin bazë duke filluar që në arsimin fillor. Gjithashtu, mund të ndihmojë duke krijuar ura lidhëse mes institucioneve të ndryshme, për të krijuar sinergji në plotësimin e nevojave të këtyre personave. Pra, sektorët e arsimit, shëndetësisë, punësimit, mbrojtjes shoqërore dhe drejtësisë kanë disa sfida të përbashkëta dhe zgjidhjet duhet t’i japin të përbashkëta.

Gjithashtu, partitë dhe organizatat politike mund të inkurajojnë pjesëmarrjen nëpërmjet rekrutimit dhe mentorimit. Skemat e përgjithshme të mentorimit ekzistojnë për të nxitur aftësitë drejtuese midis personave me aftësi të kufizuara (zakonisht të rinj), duke ofrua fuqizimin e kapaciteteve dhe qasje në modelet pozitive, përfshirë këtu vetë modelet që vijnë nga këta persona.

Mënyra sesi personat me aftësi të kufizuara mund të kthehen në kontribues aktivë në shoqëri, është duke adresuar pengesat që ata hasin, të cilat fillojnë me barrierat për pjesëmarrje në jetën politike dhe publike, përfshirë këtu: mungesën e mbështetjes sociale; pengesat në edukim; legjislacionin kufizues; hapësira fizike dhe metoda komunikimit të paaksesueshme; të ardhura të pakta dhe papunësi që shoqërohen me diskriminim të shumëfishtë.

Një rast i suksesëshm i përfshirjes së personave me aftësi të kufizuar në zgjedhje dhe proceset politike është ai i Republikës Domenikane, e cila ka mbi 1.5 milionë banorë me aftësi të kufizuara. Për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje, një sërë nismash u ndërmorën, të cilat kishin në thelb bashkëpunimin mes organizatave për mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të  kufizuara, qeverisë dhe partive politike. Këto nisma garantuan angazhimin e perosnave me aftësi të kufizuar në zgjedhje (si pjesë e komisionit për monitorimin apo regjistrimin e votuesve); kryerjen e trajnimeve për të drejtat politike; organizimin e forumeve me këta votues, përgatitjen e mesazhve në gjuhën e shenjave, përfshirjen aktive të personave me aftësi të kufizuara si trajnerë, vëzhgues, numërues. Si rrjedhojë e këtyre nismave, numri i votuesve të personave me aftësi të kufizuar u rrit.

Rasti më sipër vërteton se partitë politike dhe parlamentarët bashkëpunues janë aktorë kyç në heqjen e barrierave për pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara në zgjedhje. Shumë prej këtyre barrierave mund të sheshohen nëpërmjet mbështetjes së fuqishme të partive politike dhe institucioneve, në bashkëpunim me organizatat, profesionistët dhe përfaqësuesit e vetë komunitetit të personave me aftësi të kufizuara. Personat me aftësi të kufizuara nuk janë pjesë e problemit, ata janë pjesë e zgjidhjes.- ky studim u realizua nga Brixhilda Deda dhe Dorentina Hysa.

/Zoguu.al/

Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Previous post Presidenti në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca i kërkon Kurtit emrin për Kryeministër
Next post Albin Kurti merr zyrtarisht detyrën e kryeministrit