Të “frikësuarit” i vendosin eksploziv Elton Debreshit! Kandidatit të pavarur dhe zërit të minatorëve

Koha e leximit1 minuta, 11 sekonta

BULQIZË– Minatorit që kandidoi si i pavarur për deputet në Dibër në zgjedhjet e 25 prillit, Elton Debreshit, i është vendosur eksploziv në makinë.

Ngjarja ka ndodhur ditën e sotme rreth orës 01.00 në Bulqizë. Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërkohë policia ka shoqëruar disa persona që dyshohen të kenë dijeni për ngjarjen.

Debreshi, është edhe kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Në zgjedhjet e 25 prillit ai mori 580 vota, si kandidat për qarkun e Dibrës.

Ndërkohë, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ka reaguar me një postim në “Facebook”, duke e lidhur ngjarjen e ndodhur me pozitën e Debreshit. Ata kanë deklaruar se mafiozët dhe pushtetarët duan ti vrasin pasi sipas tyre, ata thonë gjithmonë të vërtetën dhe mbrojnë të drejtat e tyre.

“Tritoli nuk mund ta ndalë përpjekjen tonë. Sot në orët e para të mëngjesit ka shpërthyer makina e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshit. Që prej themelimit të sindikatës sonë, ndaj Eltonit dhe shokëve të tjerë ka pasur shpesh përndjekje e kërcënime. Sot arritën te tritoli. Mafiozët, oligarkët dhe pushtetarët që na marrin kromin duan të na marrin edhe jetën nëse themi të vërtetën dhe mbrojmë të drejtat tona. Po ne nuk heshtim. Ne nuk ndalemi”, thuhet në postim.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Dibër po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, dhe kapjen e autorëve.

/Zoguu.al/

Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Previous post Kamioni përplaset me minibusin në Turqi, 6 të vdekur
Next post Nënkryetari i LSI jep dorëheqjen nga partia: Nuk mjaftoi puna as kontributi im, mbaj përgjegjësi për humbjen në zgjedhjet e 25 prillit