Turi lotsjellës i Lulzim Bashës si maskë për të fshehur mungesën e ideve
TIRANË– Turi i Bashës gjithashtu do të kishte një vlerë nëse do të kërkonte falje, nëse nuk do të fliste të njëjtat gjëra por do të ulej një herë të dëgjonte ku gaboi, pse gaboi, çfarë duhet të bëjë, a e ka më besimin e tyre.
Pas spektaklit lotsjellës së dorëzimit të kutive në KAS, Lulzim Basha ka nisur një tur po kaq lotsjellës. Atë që lejuan të ndodhë në 25 prill, atë që nuk e mbrojtën dot për herë të dytë përpara zgjedhjeve, po mundohen ta korrigjojnë tani, kur gjithçka ka mbaruar. Naivitet apo propagandë bajate për të justifikuar dobësinë, spektakli shkakton lotë nga të qeshurat tek fajtorët, që kanë futur në xhep fitoren dhe lotë dëshpërimi tek ata, që pasi nuk e ndryshuan dot qeverinë, në vend që ta gjykojnë duhet ta ngushëllojnë përgjegjësin kryesor.
Ato letra pa vlerë që u dorëzuan në KAS, do të kishin një vlerë minimale, nëse do përdoreshin për tu kërkuar falje atyre që besuan se mund të rrëzohej me votë një Kryeministër që në partinë e tij i ka anuluar prej 12vjetësh zgjedhjet.
Turi i Bashës gjithashtu do të kishte një vlerë nëse do të kërkonte falje, nëse nuk do të fliste të njëjtat gjëra por do të ulej një herë të dëgjonte ku gaboi, pse gaboi, çfarë duhet të bëjë, a e ka më besimin e tyre.
Kështu të paktën, edhe nëse nuk ikën, siç po duket, do tu kursejë shqiptarëve përsëritjen për herë të tretë të të njëjtit film, me një fund dramatik që nuk mund të ndryshojë. Nëse fut ndonjë aktor të ri që hyn për herë të parë në zyrat e KQZ, apo elementin e arkave me copa lajmësh të printuara, nuk do të ndryshojë përmbajtja e filmit.
Nëse deklaron se do njohë parlamentin po jo zgjedhjet, paralajmëron të njëjtin qëndrim ambig të 2013-2017 dhe 2017-2021. Një gënjeshtër që duket se ç’orienton kritikët, por kur numërohen votat, del që ka çorientuar atë që e ka shpikur.
Sot, kur Shqipëria ka humbur, nuk është Lulzim Basha ai që kërcënohet. Ai është i mbrojtur nga Rama dhe njerëzit e tij në politikë dhe media, me një lutje publike të vazhdojë ashtu si e ka, të mos ndryshojë asgjë. Vetëm kështu mund të jetë fasada demokratike e një regjimi që, pasi u instalua në gjithë Shtetin, është nisur të pushtojë gjithë shoqërinë.
Ata që kërcënohen nga humbja po mendojnë të lënë vendin, për të njëjtat arsye që kërkuan ndryshimin. Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi duhet tu tregojnë që humbja është edhe e tyre, duke dhënë dorëheqjet, duke mbajtur përgjegjësitë dhe duke i hapur rrugën një rruge të re për përballjen me regjimin.
Rruga e kontestimit brenda institucioneve, ndërkohë që i fton njerëzit të sakrifikojnë punët e tyre për një betejë partiake, me shpresën se do hysh me më shumë dinjitet në Parlament dhe pastaj do kesh një tjetër shans për një tjetër marrëveshje për reformën zgjedhore, duke parë nga zgjedhjet lokale, si rikthim i mundësisë për të sponsorizuar një fitore pas 4 vjetësh, është vetëm pranimi i joshjes prej përfitimeve të ligjshme dhe të paligjshme të pushtetit. Është një premtim, që në 2025 do të kthehemi në situatën e 2017, me ndryshimin që rezultati mund të jetë më i ngushtë. Kjo është një rrugë e provuar si dështim.
Më keq akoma do të ishte pranimi i ftesës për bashkëqeverisje, duke shpërndarë përfitimet dhe mëkatet dhe duke e lënë vendin pothuajse pa opozitë, duke i lënë të papërfaqësuar ata që votuan kundër në 25 prill.
Kjo është skema perfekte për një sistem oligarkik. Biznesmenët që kontrollojnë sistemin duke u kujdesur nga pak edhe për opozitën, do të korruptonin të dyja palët përfundimisht dhe zgjedhjet nuk do të kishin kuptim. Edhe me premtimin se një qeveri e përbashkët mund të organizojë zgjedhje më të mira, në fund të katërvjecarit, zgjedhja e vetme për votuesit do të mbetej ngjyra e kreut të një sistemi oligarkik që punon për veten.
Shoqëria e kërcënuar nga instalimi i plotë i një regjimi autokratik, ndërkohë që partia dhe shteti janë bërë një, mund të reagojë vetëm e bashkuar. Një bashkim më i madh se Partia Demokratike, më i madh se e djathta. Vetëm të gjithë bashkë mund të përballen me një Shtet të kapur, që në kohë zgjedhjesh bashkohet me krimin, për të mundur qytetarët.
Duket e pamundur që këtë bashkim ta realizojë Lulzim Basha, pasi nuk e arriti në 8 vjet. Aq më pak duke u sjellë si Edi Rama. Duket e pamundur ta bëjë Partia Demokratike apo gjtihë forcat e opozitës aktuale, që kanë kërkuar tek politika atë që po bën Rilindja. Megjithatë, bashkimi mbetet rruga e vetme.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e dosja.al
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.