U dëmtua nga tërmeti, Manastirliu inspekton punimet e Qendrës Terapeutike për fëmijët: Brenda vitit funksionale

Koha e leximit1 minuta, 23 sekonta

TIRANË– Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka inspektuar sot punimet e Qendrës Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijë, e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Ajo tha se brenda vitit qendra do të jetë funksionale për shërbimet ndaj fëmijëve 0-18 vjec me aftësi ndryshe. Ministrja u shpreh se në fokus është kombinimi i shërbimeve, i atyre sociale dhe shëndetësore.

“Brenda vitit përfundojmë rehabilitimin e kësaj qendre dhe e vendosim në funksion, pasi edhe pajisjet janë planifikuar në buxhetin e këtij viti. Do ta kthejmë në një hapësirë të dedikuar për shërbimet me shtretër, por edhe shërbimet ambulatore për fëmijët 0-18 vjeç me  aftësi ndryshe. Fokusi ynë është kombinimi i shërbimeve. Pra ndihma që jepet duke u fokusuar tek ndihma financiare për lehtësimin e familjeve dhe fëmijëve me aftësi ndryshe. Por nga ana tjetër edhe alternimi me shërbime sociale dhe shërbime shërbime shëndetësore. Ndaj edhe kjo qendër i shërben rritjes dhe zhvillimit të fëmijëve, duke ofruar pikërisht këto shërbime të integruara socio-shëndetësore”, tha Manastirliu.

Drejtoresha e Qendrës, dr. Florida Dobi u shpreh se qëllimi i rikonstruktimit të qendrës është për ta bërë multidimensionale për trajtimin terapeutik të fëmijëve duke shtrirë sa më shumë aktivitete edukative dhe rehabilituese, krahas atyre diagnostike.

“Qëllimi i qendrës dhe përshtatja e punimeve është për ta bërë sa më funksionale, përveçse jo vetëm për të shtrirë dhe për të zgjeruar numrin e fëmijëve që do të kenë akses dhe prindërve që do të kenë akses në këto shërbime, por është dhe për ta bërë multidimensionale për trajtimin terapeutik të fëmijëve. Duke shtrirë sa më shumë aktivitete edukative dhe rehabilituese, krahas atyre diagnostike”, tha Dobi.

/Zoguu.al/

Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Previous post Zaimina Vasjari, nga këngëtare në specialiste të UKT-së në Durrës
Next post GJKKO nuk rihapi hetimet për Fatmir Mediun, SPAK ankimon vendimin në Apel