
“Urdhëruesit” dhe “pranuesit” bëhen bashkë për të pritur 121 afganët e parë që mbërritën në Rinas! Ku do të akomodohen?
TIRANË – Grupi i parë prej 121 refugjatësh afganë kanë mbërritur mesnatën e sotme në Aeroportin e Rinasit, ku janë mirëpritur nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, drejtues të FA dhe policisë së shtetit.
Ata kanë mbërritur rreth orës 03:20, mes të cilëve kishte shumë gra e foshnja. Fillimisht afganët i janë nënshtruar përpunimit të të dhënave individuale, regjistrimit dhe më pas ekzaminimeve mjekësore në çadrat e ngritura në Rinas posaçërisht për ta.
Më pas, ata janë trasportuar drejt hoteleve të Durrësit, ku janë akomoduar për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Pranë ambjenteve të Hotel “Belvedere”, i gjithë ambienti është i rrethuar me forca të shumta të policisë për të garantuar sigurinë e afganëve.
Në këtë hotel janë strehuar 60 afganë, të cilët janë nëpunës që kanë punuar për fondacionin e George Soros. Siç është theksuar, në hotel ka mjekë që do të kujdesen për shëndetin e afganëve, edhe sipas protokolleve për Covid, si dhe psikologë, nisur nga situata e rënduar prej nga ata vijnë.
Afganët e tjerë që do të vijnë në ditët në vijim do të strehohen për pak ditë në konviktet e Qytetit Studenti.
Në fjalën e saj gjatë mirëpritjes së tyre, ministrja Xhacka u shpreh se ishte frika nga sulmet e talebanëve që bëri të mundur ardhjen sa më shpejt të afganëve në Shqipëri, për të shpëtuar jetën.
Ajo tha se Shqipëria nuk është një vend i pasur me mundësi të mëdha materiale, por po tregon solidaritetin, mikpritjen, bujarinë dhe një përgjëgjesi morale.
Ndërkohë, kryeministri Rama nëpërmjet rrjeteve sociale, u ka uruar afganëve mirëseardhjen, duke kujtuar që edhe pozitën e shqiptarëve dikur.
“Mirëmëngjes pa u gdhirë dhe me këtë episod live mikpritjeje shqiptare, që na kujton kush ishim dikur e na bën nder si vend e si popull, që krenohemi me traditën jo veç me fjalë, ju uroj një ditë të mbarë të gjithëve, duke i uruar së bashku me të gjithë ju mirëseadhjen, në tokën ku ligji i të parëve thotë se shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, edhe 121 fëmijëve, grave e burrave nga Afganistani fatkeq, të cilët braktisën shtëpinë e tokën e tyre, për të shpëtuar jetën”, shkruan Rama.
Ambasadorja e SHBA, ka falenderuar Shqipërinë për pritjen e 121 afganëve, duke e cilësur si vend mikprites dhe mbrojtes. “Ne jemi krenarë t’ju quajmë një mik dhe aleat”, tha ajo.
“Ministrja Olta Xhaçka dhe unë mirëpritëm grupin e parë të afganëve që kërkonin strehim të përkohshëm në Shqipëri. Siç kanë bërë gjithmonë, populli i Shqipërisë edhe një herë u ofron mikpritje dhe mbrojtje atyre në nevojë më të madhe. Ne jemi krenarë t’ju quajmë një mik dhe aleat. Faleminderit”, shkruam Yuri Kim në Twitter.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.