
Ilustrim
TIRANË– Duke nisur nga dita e sotme, të gjithë udhëtarët që do të futen në shtetin shqiptar, do të përballen me rregullat e reja anti-COVID në kufi.
Komiteti Teknik i Ekspertëve deklaroi më 30 gusht që udhëtarët duhet të plotësojnë 3 kushte:
Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.
Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.
Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Këto rregulla nuk janë të vlefshme për fëmijët deri në moshën 6 vjeç.
Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
Në aeroporte do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë e kanë të detyrueshme mbajtjen e maskës.
Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.
Pas masave të reja që kanë hyrë në fuqi sot në të gjithë pikat kufitare të vendit, deri tani mësohet se rreth 20 qytetarë shqiptarë janë karantinuar për 10 ditë.
Ndërkohë që deri më tani të gjithë të huajt e paraqitur në Shqipëri nga ora 00.01 janë të rregullt me teste vaksine, ndërsa ata që nuk do të plotësojnë kushtet e kërkuara, do të kthehen pas me avionin e linjës që kanë ardhur.
Të gjithë ata që do shkelin karantinën 10 ditore, do të gjobiten me 700 mijë lekë.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.