
Kryeministri Edi Rama
TIRANË– Kryeministri Edi Rama ka inspektuar ditën e sotme Rezidencën Studentore Universitare nr. 2, ku deklaroi se vaksinimi për studentët dhe pedagogët do të bëhet i detyrueshëm.
Kryeministri tha se studentët që nuk pranojnë të vaksinohen nuk do të hyjnë në auditore gjatë vitit akademik.
Rama u shpreh se vaksinimi është përgjegjësi për të mbrojtur të tjerët. Ai tha shteti ka për detyrë të mbrojë dikë që është i vaksinuar nga ai që nuk vaksinohet, pasi nuk mund të shkojmë në masa që kurrë nuk duhen kthehen pas.
“Mund të ndodh që të mos nevojiten në rast se do të lirohen strukturat e tjera që kemi bërë pas sezonit,nuk bëhet fjalë hiq studentët, dhe vër afganë, por thjeshtë për të shfrytëzuar këtë pjesë. Duhet t’ia shpjegojmë rektoratit, vaksinimi për studentët do të jetë i detyrueshëm, që ta dinë që nëse vjen momenti, e të mos thonë “pse s’na thatë, dua ‘sdua”, se ata që kanë pjesë të aktivitetit të tyre bashkë me të tjerë është përgjegjësi që nëse për veten mund të thonë s’dua t’ia di të tjerët, s’mund të t’i marrin të tjerët në qafë. Do vijë momenti që vaksinimi për studentët në auditore të jetë i detyrueshëm. E pamundur që të lejojmë që të kemi një përshkallëzim të panevojshëm të numrave dhe të shkojmë në masa që kurrë nuk duhen kthehen pas. Edhe me pedagogët e njëjta gjë. Nuk ka “nuk dua”, pedagogët që hyjnë në auditor, studentët kanë përgjegjësi të mbrojnë të tjerët dhe shteti ka për detyrë që të mbrojë dikë që është i vaksinuar nga ai që nuk vaksinohet. Mund të mos e bësh, por rri jashtë, nuk futesh në auditor. Mund të vij momenti që për disa kategori të bëhet e detyrueshme dhe këtu, se tjetër gjë për atë që rri në shtëpi, por kush ka punë apo aktivitete të tilla që është në kontakt me njerëzit e tjerë në distanca të afërta nuk mund të thotë s’dua, ose të thotë s’dua por të tërhiqet nga ai ndërveprim deri sa të jetë virusi vërdallë”, tha Rama.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.