
Vjosa Osmani tregon kushtin për paqen mes Kosovës dhe Serbisë
VJENË- Pas takimeve që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar sot me zyrtarët austriakë, ajo ka deklaruar se drejtësia është kushti për një paqe mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një konferencë për mediet, ajo u shpreh se Serbia ka bërë një luftë të ashpër me Kosovën, ku janë vrarë shumë të pafajshëm dhe i bën thirrje presidentit serb te vendosë një lule në varrezën masive.
“I bëj ftesë presidentit (serb Aleksandër) Vuçiç që së paku ta vendosë një lule të Batajnicë, në varrezën masive ku janë gjetur qindra fëmijë të vegjël e gra, të cilët ishin vrarë gjatë luftës në Kosovë”, ka deklaruar Osmani.
Ndërkohë ajo foli edhe për rolin e Bashkimit Evropian, e cila tha se duhet të jetë më e qartë me Serbinë për të mos luajtur me dy karta, edhe me Rusinë, edhe me BE-në.
“Mendoj se Bashkimi Evropian duhet të jetë i qartë me Serbinë, që ajo nuk mund të luajë me dy karta, edhe me Rusinë, edhe me Bashkimin Evropian. Ajo nuk mund të ulet në dy karrige në të njëjtën kohë, duhet ta zgjedhë cila është rruga e saj e vërtetë, e jo të hiqet si pro-evropiane në njëjtën anë, por ta rrisë bashkëpunimin edhe ushtarak edhe ekonomik, edhe politik me Rusinë në anën tjetër, duke rrezikuar kështu gjithë rajonin tonë nga ndikimi rus”, ka deklaruar ajo.
Osmani tha se dialogu mes Serbisë dhe Kosovës duhet të përmbyllet me njohje reciptoke.
Ndërkohë, Aleksandër Vuçiç, tha se Serbia nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën. Ai ka paraqitur para Kuvendit të Serbisë raportin për dialogun me Kosovën, duke thënë se dialogu është “transparent” dhe se pretendimet se “dikush po fsheh diçka diku dhe po përpiqet të mashtrojë publikun” janë “gënjeshtra”.
Dialogu mes presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës u mbajt më 15 qershor, por përfundoi me tensione dhe nuk u arrit asnjë marrëveshje.
Kujtojmë që takimi i radhës për dialog do të mbahet në muajin korrik.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.