
Vrasja e Kudret Saliaj nga ish-vjehrri; Autori dhe vajza japin dëshmi kontradiktore, kjo e fundit akuzohet për bashkëpunim në vrasje
TIRANË– Kudret Saliaj është personi i cili u vra nga ish-vjehrri, Mexhit Picari, 2 ditë më parë afër Gjykatës Civile. Hetimet kanë vazhduar dhe kanë dalë detaje të reja rreth ngjarjes së ndodhur.
Dyshohet se vajza e autorit, Dhurata Saliaj ka vëzhguar gjatë gjithë kohës ish-bashkëshortin dhe i ka raportuar të atit cdo veprim dhe lëvizje të tij.
Gjithashtu deklaratat e bëra nga Picari dhe vajza e tij, janë kontradiktore me njëra-tjetrën. Autori ka deklaruar se përpara momentit të vrasjes, ai ka qenë i ulur vetëm në ambjentet e lokalit, ndërsa vajza e tij deklaroi se ka qenë bashkë me babain në tavolinë. Picari deklaroi se ish-dhëndri i tij ka hyrë në lokal, është afruar drejt tij dhe e ka sharë.
“E kam mbushur, kam vendosur karikatorin dhe më pas kam qëlluar në drejtim të dhëndrit”, ka thënë ai.
Kudret Saliaj po qëndronte në lokal i shoqëruar me avokatin e tij, Adriatik Cama dhe psikologen. Kjo e fundit ka pësuar një tronditje të madhe, ka kaluar në gjendje të fikti, por më pas është përmendur.
Avokati mbeti i plagosur pasi u prek nga një plumb dhe u dërgua në spital. Aktualisht Cama ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por plumbi nuk është arritur t’i hiqet, ndaj pas 2 javësh ai do t’i nënshtrohet një operacioni.
Djali i mitur i viktimës dhe Dhurata Saliaj nuk ka qenë prezent në vendngjarje. Konflikti për kujdestarinë e fëmijëve ka qenë nisja e gjithçkaje. Një ditë më parë Gjykata kishte dhënë vendimin që fëmijët të qëndronin me babain e tyre dhe nënën e tyre mund ta takonin vetëm në prani të psikologes. Ndërkohë Dhurata nuk e kishte pranuar vendimin duke thënë se ish-burri e kishte ofenduar dhe kërcënuar.
Ditën e hënë Gjykata Penale pritet të japë masën e sigurisë për autorin dhe vajzën e tij. Prokuroria e Tiranës pritet të kërkojë masën “arrest me burg” për të dy. Dhurata akuzohet për bashkëpunim në krim.
Ndërkohë familjarët e viktimës kanë reaguar duke thënë se akuzat që Kudreti ushtronte dhunë nuk janë të vërtreta, por përkundrazi, ai kishte kërkuar mbrojtje prej Dhurata Saliajit. Ata thanë se 3 fëmijët e tyre janë të traumatizuar nga ngjarja e ndodhur dhe kërkojnë drejtësi.
“Të merret dosja në prokurori. Dhurata është e dënuar për dhunë në familje. Ka akuza të tjera të cilat nuk janë shqyrtuar nga prokuroria, ka vendime të gjykatave. 3 fëmijët ndodhen në banesën ku jetonte Kudreti. Janë të pavërteta deklaratat e tyre (Mexhitit dhe bashkëshortes). Ditën para vrasjes na kanë ardhur në banesë, Kudreti jo vetëm nuk e ka sulmuar dhe dhunuar atë, por ka kërkuar mbrojtje prej saj. Ka kërkuar forma të ndryshme për ta larguar. Goca 9 vjeç djemtë 12 dhe 16 vjeç janë të traumatizuar. Ne nuk na duhet dalja para mediave, ajo që është bërë është bërë, çfarë zgjidh dalja jonë? Pesha më e madhe jona janë fëmijët tani, Kudretin e përcollëm të shkretin, kujdesi ndaj tyre. Ata le të dalin në media, s’di ç’të them për ta, ne i kërkojmë drejtësisë të japë drejtësi. Pretendimi i saj se është dhunuar nga Kudreti e apo shenjat që ka treguar, s’është e vërtetë. E dimë ne dhe e di edhe ajo e prokuroria kush ia ka bërë shenjat asaj. Janë histori të vjetra. Pyeteni avokatin që u plagos, ai e njeh dosjen”, thonë familjarët.
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.