
Montazh
ROMË– Po afron 15 maji, dita kur përdoruesit e ‘WhatsApp’ do të duhet të pranojnë kushtet e reja të privatësisë.
Fillimisht i planifikuar për më 8 shkurt, data u zhvendos nga kompania në pronësi të ‘Facebook’ pas pakënaqësisë së përdoruesve dhe ndërhyrjes së autoriteteve europiane dhe italiane, që e akuzuan aplikacionin për mungesë qartësie.
“Më 15 maj asnjë llogari nuk do të fshihet dhe asnjë funksionalitet nuk do të humbasë pas këtij përditësimi”, shpjegoi ‘WhatsApp’ në një seksion të veçantë.
“Javët e fundit ne kemi treguar një njoftim në ‘WhatsApp’ me më shumë informacion. Pasi u kemi dhënë të gjithëve kohën e nevojshme për të kontrolluar informacionin e paraqitur, ne vazhdojmë të kujtojmë ata që nuk e kanë bërë ende ta kontrollojnë dhe pranojnë atë. Pas një periudhe prej disa javësh, kujtesa do të bëhet e vazhdueshme”, shtoi aplikacioni.
“Do të ketë qasje të kufizuar në veçoritë, derisa të pranohen përditësimet”.
Për shembull, nuk do të jeni në gjendje të hyni në listën e bisedave, por do të jeni në gjendje të përgjigjeni në thirrjet hyrëse dhe thirrjet video.
Nëse keni njoftime të aktivizuara, mund të prekni për të lexuar ose për t’iu përgjigjur mesazheve, ose për të thirrur sërish në rast të një thirrjeje të humbur ose thirrjeje video.
Pas disa javësh me funksionalitet të kufizuar, nuk do të jeni në gjendje të merrni telefonata ose njoftime hyrëse dhe ‘WhatsApp’ do të ndalojë dërgimin e mesazheve dhe thirrjeve në telefonin tuaj.
‘Facebook’ bëri të ditur se do të vazhdojë botimin dhe shpërndarjen e kushteve të reja të shërbimit për privatësinë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e ata.gov.al
Bazuar në Ligjin Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.